Çekët marrin në dorë OSSH-në
Fabiola Çela
Ka përfunduar procesi i privatizimit të OSSH-së. Kompania çeke “CEZ”, fituesja e tenderit ndërkombëtar të privatizimit të OSSH-së, ka kryer pagesën prej 102 milionë eurosh në buxhetin e shtetit. Po dje drejtori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Sait Dollapi, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, si një kusht ky i vendosur në kontratën e shitjes së OSSH-së.
Privatizimi
“Ju informoj se CEZ Group ka derdhur në arkën e shtetit 102 milionë euro dhe, kjo është arsyeja, që unë sipas kushteve të kontratës paraqes dorëheqjen, bashkë me Këshillin Mbikëqyrës”, është shprehur dje në një deklaratë për mediat Sait Dollapi. Tenderi për shitjen e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë u zhvillua në shtator të vitit të kaluar. Në këtë tender ndërkombëtar fituese u shpall kompania çeke “CEZ”, e cila bleu 75 për qind të aksioneve me një vlerë prej 102 milionë euro. Pas shumë muajsh negociatash, mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke kontrata e shitjes u firmos më 11 mars. Gjatë negociatave qeveria shqiptare ka arritur të bindë zyrtarët e kompanisë çeke që të mos rrisin çmimin e energjisë për këtë vit. Por se sa do të jetë rritja e tarifave të energjisë për vitin e ardhshëm, kjo ende nuk dihet. Në një takim me mediat të zhvilluar pak kohë më parë, përfaqësuesit e lartë të kompanisë çeke kanë preferuar të jenë të rezervuar për çështje të ndjeshme të kompanisë, siç janë tarifat e energjisë apo shkurtimet e punonjësve. “Sa i takon numrit të punonjësve ende është herët për të folur. Por ne do të bëjmë një organizim të ri të kompanisë. Çdo vendim që do të merret do të diskutohet me punonjësit e sindikatat dhe pastaj do t’i bëhet i ditur edhe publikut. Sa i takon tarifave, ne nuk mund të flasim për to sa kohë që nuk i kemi të gjithë argumentet në duar, por e garantojmë publikun se do të veprojmë konform vendimeve të Entit Rregullator të Energjisë”, kanë theksuar drejtuesit e kompanisë çeke. Privatizimi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë është cilësuar si një ndër proceset më të vështirë. Me privatizimin e OSSH-së pritet që furnizimi me energji për konsumatorët të përmirësohet ndjeshëm. CEZ është një ndër kompanitë energjetike që udhëheq në Evropën Qendrore me 7 milionë klientë dhe me një kapacitet të instaluar për prodhimin e energjisë, energjisë nukleare, nga qymyri dhe hidrocentraleve prej 14.300 MW. Grupi CEZ renditet ndër dhjetë kompanitë energjetike më të mëdha në Evropë.