E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, kërkohej për trafik droge, kapet Kastriot Llupi

Efektivat e Policisë së Gjirokastrës, kanë kapur një person të shpallur në kërkim për trafik të lëndëve narkotike. Burime zyrtare nga Policia e Qarkut kanë bërë të ditur se në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është kapur nga ana e specialistëve të Seksionit të Luftës Kundër Drogës në DPGJ shtetasi Kastriot Llupi, 19 vjeç, banues në lagjen Manalat të qytetit Gjirokastër. Sipas zëdhënësit të Policisë së Gjirokastrës Gentijan Mullai, kapja dhe më pas ndalimi i të riut 19 vjeçar u realizua në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga ana e specialistëve të Seksionit të LKD. Kastriot Llupi rezulton të jetë i dënuar me pesë vjet burg në mungesë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë. Vendimi është dhënë në datën 25 shkurt të këtij viti për veprën penale trafikut të lëndëve  narkotike. Ky shtetas më 20 shkurt të këtij viti rreth orës 22:00 së bashku me dy shtetas të tjerë S. K. nga Gjirokastra dhe S. R. nga fshati Lazarat, ishin duke transportuar rreth 40 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë, në drejtim të Greqisë. Aktualisht dy shtetasit me inicialet e mësipërme ndodhen në dhomat e paraburgimit pasi u kapën në flagrancë nga shërbimet e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në malin mbi fshatin Bodrista rreth 25 km në jug të qytetit të Gjirokastrës afër kufirit me Greqinë. Ndërsa 19 vjeçari Kastriot Llupi, në atë moment mundi të largohej duke përfituar nga errësira. Nga puna e kryer dhe veprimet hetimore rezultoi se pjesëtar i këtij trafiku ishte edhe shtetasi Kastriot Llupi, është shprehur zëdhënësi i Policisë së Gjirokastrës, Mullai, duke shtuar se kapja e tij u realizua në banesë nga uniformat blu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›