E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, ndalohen 6 sirianë, arrestohet një shqiptar

Policia e Gjirokastrës në sajë të një operacioni anti-trafik ka bërë të mundur ndalimin e 6 shtetasve sirianë të cilët kishin kaluar kufirin ilegalisht. Burime nga policia bëjnë me dije se 3 shtatas sirianë janë ndaluar në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë në një automjet tip Ford me targa të huaja që drejtohej nga shtetasi Grigor Sulaj 45 vjeç, lindur dhe banues Fier. Ndërsa policia ka bërë të mundur ndalimin e tre shtetasve të tjerë sirianë në aksin Gjirokastër- Jergucat të cilët po udhëtonin në këmbë në drejtim të Gjirokastrës.
 

Nga hetimet paraprake rezultoi se shtetasit Sirianë kanë hyrë nëpërmjet kufirit jeshil dhe për t`ju shmangur postoblloqeve të Policisë në Jergucat dhe në Ujin e Ftohtë Tepelenë , në këto segmente rruge zbresin nga makina dhe kalojnë me këmbë nga poshtë pikës së kontrollit . Këta shtetas janë ndihmuar që në Athinë nga një shtetas nga Tepelena , i cili i ka ndihmuar të hyjnë në Shqipëri dhe më pas i ka hipur në automjetin tip furgon për t`i transportuar në Tiranë.
 

Policia e Gjirokastrës ka bërë të mundur arrestimin e drejtuesit të automjetit Grigor Sulaj, për veprën penale të "Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit". Sipas policisë po vijojnë hetimet për të parë nëse edhe ky shtetas është pjesë e grupit që merret me trafikun e shtetasvëve të huaj nga Athina për në Malin e Zi.
 

Gjithashtu policia ka shpallur në kërkim dy shtetas një nga Tepelena dhe një shtetas nga Tirana, pasi këta shtetas organizojnë dhe zhvillojnë trafikun e shtetasëve të huaj marokenë , airianë , algjerinaë , e palestinezë nga Athina në Shqipëri e më pas në malin e Zi , kundrejt vlerës 1500 euro për person.
 

Policia e Gjirokastrës ka theksuar më tej se nga ana e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 29 drejtues të automjeteve që transportojnë këta shtetas.
 

Gjithashtu po nga ana e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim të ngushtë me Specialistët e Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit po vijojnë hetimet duke përdorur edhe metoda speciale të hetimit për të bërë të mundur dokumentimin me prova ligjore të një grupi me veprimatri kriminale në fushën e trafikut të qënieve njërëzore.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›