Gjirokastër, ndihmoi klandestinët, prangoset 20 vjeçari
Policia e Gjirokastrës kap një person për favorizim kalimi ilegal të kufirit, ndërkohë që i shpëton organizatori i trafikut. Burimet zyrtare policore, kanë bërë të ditur se në orët e vona të së mërkurës, është arrestuar shtetasi Taulant Ballia, 20 vjeç, nga fshati Mamaj i Tepelenës. Arrestimi në flagrancë i 20- vjeçarit, ka ardhur nga ana e specialistëve të Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në momentin kur ai po ndihmonte një grua së bashku me foshnjën e saj për të kaluar ilegalisht në Greqi në orën 21:00 të së mërkurës.
Shërbimet e Sektorit Kundër Krimit të Organizuar e kanë kapur Balliun në afërsi të fshatit Kakavije fare pranë kufirit me Greqinë duke shoqëruar një grua së bashku me foshnjën e saj të vogël të cilët do ti kalonte përmes kufirit të gjelbër në mënyrë ilegale kundrejt 1200 eurove. Nga veprimet hetimore fillestare të kryera nga policia, rezultoi se Balliu ka qenë nën shoqërinë e një personi tjetër nga një fshat i Tepelenës i cili i ka shpëtuar kapjes së policisë momentin e fundit. Personi emri i të cilit nuk bëhet publik nga policia, ka qenë disa metra më larg duke ndihmuar një shtetas tjetër kundrejt 800 eurove. Personi anonim, i ka shpëtuar policisë fill pas arrestimit të 20- vjeçarit Balliu duke u larguar me shpejtësi në shkurre dhe i ndihmuar edhe nga terri i natës. Sipas policisë duke u mbështetur në veprimet hetimore, ka rezultuar se organizatori i këtij trafiku ka qenë pikërisht shtetasi i larguar në drejtim të paditur.Duke qenë organizatori i këtij trafiku, i arratisuri, do të përfitonte 1600 euro ndërkaq që Balliu që u arrestua, vetëm 400 nga kjo shumë. Për arsye hetimi policia nuk ka bërë të ditur identitetin e personit të larguar ndërkohë që është shpallur si person në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim ilegal të kufirit kundrejt fitimit.
Last Updated on Friday, 17 April 2009 03:26
Last Updated on Friday, 17 April 2009 03:26