E Diel, 1 Nëntor 2026

Misteri i njeriut të natyrës, në Muzeun Kombëtar

Figura njerëzore, apo kafshësh të gdhendura nga natyra, janë elementi bazë i fotografisë së Renild Firi. Një portret burri, një luan, e shumë të tjera janë emërtimet që i ka vënë Firi, sipas perceptimit e ndjesisë që i ka përcjellë. Qëllimi i kësaj ekspozite është që të sjellë portretin e njeriut në gur e jo vetëm kaq por edhe imazhin e kafshëve. Dhe kjo duket qartë edhe nga titulli i ekspozitës Misteri i njeriut të natyrës. Shumë pamje janë marrë prej natyrës dhe të gjitha këto i kam  emërtuar me nga një emër që i ka shkuar për shtat secilës prej fotografive. Janë gjithsej rreth 26 punë, të cilat janë realizuar në vende të ndryshme të Shqipërisë, si në Krujë dhe në zonat përreth saj, gjithashtu edhe në vende të tjera si Tiranë etj, tregon ai. Firit i janë dashur disa vite për të sjellë në vëmendjen e publikut një punë të tillë, të cilën e ka ekspozuar pranë Muzeut Historik Kombëtar. Kam gati 3 vjet që punoj për të realizuar fotot dhe për të arritur deri në këtë ekspozitë. Jam nisur nga diçka spontane, pra gjithçka nisi me një foto në disa momente kur me shokë shkonim të sodisnim vende të veçanta të natyrës dhe kështu herë pas here duke u ndeshur me gurë, me forma të veçanta dhe të çuditshme në të njëjtën kohë. Kështu më lindi dëshira që të bëj edhe udhëtime për të fotografuar këta gurë me forma interesante. Por që tani e bëj me një objektiv të caktuar dhe jo më rastësisht, tregon ai. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 18 prill.

Last Updated on Friday, 17 April 2009 03:19

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›