E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, përfundon greva, përçahen banorët

DËMSHPËRBLIMI/ Familjet e pallatit të shembur kanë braktisur grevën në festat e fundvitit, por edhe janë përçarë

GJIROKASTËR- Përfundon pas tetë ditësh greva e urisë së banorëve të mbetur të pastrehë nga shembja e pallatit më datën 9 nëntor në lagjen “11 Janari” të qytetit të gurtë. Mbyllja e grevës u realizua pas bisedimeve që banorët kryen me pushtetin vendor. Megjithatë, në këtë ditë ata duken të përçarë me njëri-tjetrin, pasi sipas tyre një pjesë e familjeve po favorizohen, duke mos u dhënë drejtësi për të gjithë. Megjithatë, një pretendim i tillë është hedhur poshtë nga drejtuesit e bashkisë së Gjirokastrës, të cilët deklaruan se të gjitha familjet do të trajtohen njëlloj.

Përfundimi i grevës

Ashtu sikurse ishte paralajmëruar disa ditë më parë, ora 11:00 e së hënës mblodhi përpara Bashkisë së Gjirokastrës banorët e dëmtuar nga shembja e pallatit. Por, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për solidarizim të komunitetit gjirokastrit në këtë protestë paqësore, një gjë e tillë nuk ndodhi. “Kërkojmë dëmshpërblim të plotë” dhe “Duam të drejtën tonë” ishin pankartat që protestuesit mbanin në duar. Në protestë u bë publik edhe vendimi për përfundimin e përkohshëm të grevës. “Sot, duke besuar në deklaratën e presidentit të Republikës, z. Bamir Topi, bërë disa ditë më parë, se kërkesat tona do të marrin përgjigjen e duhur, si dhe në prag të festave tradicionale të fundvitit dalim prej grevës së urisë deri në ditët e para të janarit dhe, natyrisht, përgjithmonë me të marrë dëmshpërblimin. Në rast të kundërt, ne do të rishohim pozicionet tona dhe brenda hapësirave të demokracisë dhe respektimit të ligjeve do të vazhdojmë të kërkojmë të drejtat, duke shpresuar te shteti ligjor, te organet e drejtësisë dhe të gjithë faktorët që mund të ndikojnë në zgjidhjen e problemit tonë”,- u shpreh Sokrat Papadhopulli njëri prej banorëve.

Përçarjet

Ndërkaq, dje janë vënë re edhe problemet e para mes vetë banorëve, pasi një palë akuzojnë se një pjesë e familjeve po favorizohen nga pushteti vendor për zgjidhjen e problemit të tyre. “Na kanë ardhur pushtetarët dhe na kanë thënë se do të marrim shtëpi. Ndërkohë, dy prej familjeve edhe do të marrin shtëpi, edhe do të mbajnë kuotën e parave të dhëna nga qeveria. Po ne të tjerët ku të vemi? Përse bëhen këto diferencime kur ne jemi të tërë një?”,- deklaroi Fejzi Aliaj. Ndërkaq, banorët janë shprehur të vendosur për t’iu rikthyer grevës së urisë pas festave të fundvitit nëse kërkesa e tyre e vetme nuk do të jetë zgjidhur deri atëherë.

Mohimi i bashkisë

Akuzat për diferencime mes banorëve janë hedhur poshtë nga drejtues të pushtetit vendor në Gjirokastër. Sipas kryetarit të bashkisë, Flamur Bime, të gjitha familjet do të trajtohen njëlloj. “Institucioni i bashkisë, institucioni i prefekturës dhe Këshilli i Qarkut kanë marrë kontakte me 15 operatorët e ndërtimit që veprojnë në tregun e banesave në Gjirokastër dhe kemi arritur në marrëveshjen se të gjitha familjet do të marrin apartamente me sipërfaqen që kanë pasur, me të njëjtin çmim që ka aprovuar Këshilli i Ministrave. Nuk ka asnjë të vërtetë në këto akuza. Që të gjithë banorët për ne janë të barabartë”,- tha Bime. Ai deklaroi gjithashtu se në buxhetin e bashkisë për vitin 2009 do të parashikohet një fond emergjence, në mënyrë që të gjitha familjet të përfitojnë nga një shumë prej 500 mijë lekësh të rinj secila, në mënyrë që problemi i tyre të lehtësohet në mënyrë të ndjeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›