E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet: Berisha-Uidhers, replika në distancë

Ndërsa Berisha mbronte me fanatizëm ligjin në mbledhjen e grupit, Uidhersi po fliste para një takimi me fëmijët për një fabul kuptimplotë

TIRANË- Pak orë përpara miratimit të dosjeve, Kryeministri Berisha dhe ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uithers, patën një shkëmbim replikash në distancë. Njëri ndodhej në sallën e Kuvendit dhe bënte mbledhje me anëtarët e Grupit Parlamentar të PD-së, ndërsa tjetri në një kopsht ku fliste për fëmijët. Teksa Kryeministri Berisha sulmonte me tone të ashpra këdo që ishte kundër ligjit të tij, ambasadori Uithers u tregonte fëmijëve të një shkolle një fabul shumë kuptimplotë për situatën aktuale. “Jemi një vend i lirë, vend demokratik dhe ne nuk bëjmë asnjë hap jashtë standardeve, në mënyrë kategorike. Për fatin tonë të madh, ekziston në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, këtij institucioni suprem i Europës për liritë dhe të drejtat, një praktikë dhe një teori aq e gjerë, saqë nuk lë asnjë shkas për mungesë transparence. Edhe njëherë dua t’ju informoj se kjo Gjykatë, tempull i drejtësisë për liritë e njeriut, nuk ka pranuar, në asnjë rast, të shqyrtojë në thelb ligjet e lustracionit, sepse i ka quajtur legjitime. Shoqëria duhet të bëjë lustracionin. Ky është morali i së drejtës, morali i shoqërisë së lirë”,- tha Berisha. Në anën tjetër, Uithers u përgjigj: “Një të diel, sapo dielli lindi, doli edhe një krimb i vogël shumë i uritur. Ai hëngri të hënën një mollë, por nuk u ngop. Të martën hëngri dy dardha, por prapë nuk u ngop. Të mërkurën hëngri tre kumbulla, por prapë nuk u ngop. Të enjten katër luleshtrydhe, por prapë nuk u ngop. Të premten krimbi hëngri pesë portokalle, por sërish ishte shumë i uritur”. Si për ironi të fatit, në dy vende të ndryshme, të dy këta njerëz vazhduan “dialogun” e tyre. “Nga ana tjetër, Gjykata ka pranuar kufizimin e përkohshëm të disa të drejtave dhe mund të themi se ligjet e lustracionit, nga pikëpamja ligjore, kanë pikërisht këtë sjellje. Ju mund të thoni se përse e ka pranuar këtë gjë, për hakmarrje? Kurrën e kurrës! E ka pranuar për antikomunizëm, për ideologji? Jo. Ajo e ka pranuar për një kriter tjetër themelor, për kodin moral dhe etik të atij që punon”, - deklaroi Berisha. Ndërsa përgjigja amerikane ishte: “Të shtunën, ai krimbi hëngri, më dëgjoni me shumë kujdes: Një copë kek me çokollatë, një akullore, një copë djathë, një copë sallam, një lëpirëse dhe një tortë me luleshtrydhe. Hëngri shumë. Atë natë ai kishte dhimbje stomaku”. “Të nderuar zotërinj opozitarë, urdhëroni dhe votoni ligjin që u jep mundësi juve të faktoni çdo akuzë që keni bërë gjatë këtyre 3 vjetëve. Keni sulmuar në mënyrën më të rëndë, por mos harroni se këta njerëz janë njerëz publikë, kanë përgjegjësi, kanë familjarë, kanë një të shkuar dhe ju i keni lënduar në mënyrë shumë të pandershme. Sa herë më keni kërkuar mua në Parlament për këtë çështje dhe më keni thënë se, përse nuk e hap dosjen, përse po e shtyja ligjin, kërkonit të rrëzohej qeveria. Ndërsa unë, me qëllimin më të mirë, e shtyja, në mënyrë që të mund ta bënim bashkërisht këtë ligj. Por, në fund të fundit, këto ligje nuk janë bërë bashkërisht. Kjo është historia, tha Kryeministri. Por historia që u tregohej fëmijëve kishte një tjetër fund. “Ditën tjetër, ishte sërish e diel dhe krimbi hëngri vetëm një gjethe të gjelbër dhe u ndje shumë më mirë. Por tani ai nuk ishte më një krimb i vogël, por një krimb i shëndoshë. Ai ndërtoi një shtëpi të vogël rreth vetes, ku qëndroi dy javë. Ai gërvishti mbulesën përreth vetes dhe doli që krimbi ishte shndërruar në një flutur shumë të bukur”, - tregonte ambasadori Uithers, duke i dhënë një mesazh politikës shqiptare, që të shtrijë këmbët sa ka jorganin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›