Vdekja e nënës 25-vjeçare, nën hetim mjekët
SARANDË - Nisin hetimet për përgjegjësinë e mjekëve në vdekjen e 25-vjeçares Enkeleda Osmani. Pas autopsisë së kryer, megjithëse nuk kanë dhënë një akt ekspertimi zyrtar, ekspertët e mbërritur nga Tirana në Sarandë, kanë cilësuar si shkak të vdekjes për nënën e tre fëmijëve trompozën ose mpiksjen e gjakut. Lidhur me këtë fakt ka reaguar drejtori i shëndetit publik në Sarandë, i cili është shprehur se kujdesi i mjekëve ka qenë maksimal si para edhe pas lindjes së fëmijës nga nëna 25-vjeçare. Ndërsa në orët e vona të së dielës nga ana e familjarëve u ngrit një padi kundër mjekëve duke i cilësuar ata si fajtorë për vdekjen e Enkeleda Osmanit.
Mjekët
Vetëm një ditë pas vdekjes së nënës 25-vjeçare, e cila ndërroi jetë 8 ditë pas lindjes së fëmijës, drejtori i Shëndetit Publik dha një deklaratë për mediat, duke u shprehur se rreziku i trombozës ka qenë gjithnjë i pranishëm tek gruaja lehonë. Kjo për faktin se Enkeleda pak ditë para lindjes së fëmijës së tretë kishte thyer këmbën dhe si rrjedhojë duhej mjekuar si për frakturën, ashtu edhe për operacionin e kryer për të lindur foshnjën e saj. Mjekët e kanë shpjeguar punën e tyre duke u shprehur se kanë qenë në gatishmëri të plotë gjatë gjithë kohës për gruan e re. Por mjekimet që ajo merrte për këmbën e thyer ishin kundër trompozës dhe shkaktonin hollimin e gjakut. Në të njëjtën kohë ajo kishte një plagë të hapur, çka do të thoshte se këto mjekime duhet të jepeshin me një kujdes shumë të madh, pasi i duhej dhënë mundësi ripërtëritjes së plagës së operacionit. Drejtori i Shëndetit Publik u shpreh se do të mblidhet konsulta e mjekëve (11 mjekë) për të diskutuar lidhur me vdekjen e së resë.
Hetimi
Ndërkohë, pas denoncimit të bërë nga ana e familjarëve, prokuroria ka sekuestruar kartelën e Enkeleda Osmanit, si dhe ka marrë konfirmimin e shkakut të vdekjes së saj nga ana e ekspertëve pas përfundimit të autopsisë, i cili cilësonte trombozën si arsye. Nga ana e prokurorisë do t’i jepet përgjigje pyetjes për shkakun e vdekjes së 25-vjeçares, por gjithashtu edhe për përgjegjësinë e mjekëve për ngjarjen e ndodhur dhe mundësitë për shmangien e një tragjedie të tillë për familjen Osmani dhe tre fëmijët e saj të moshave 5 vjeç, 3 vjeçe dhe 8-ditësh.
Varrimi
Dje në fshatin Xarrë të Sarandës u zhvillua ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit të 25-vjeçares Enkeleda Osmani. Nëna e re ndërroi jetë të dielën në orën 11:00 vetëm një ditë para se të dilte nga spitali, siç i kishin thënë edhe mjekët. Por, teksa u ngrit për të ushqyer fëmijën në mëngjes, ajo ra pa ndjenja dhe vdiq rreth dy orë më vonë. I pranishëm në ngjarje ishte edhe bashkëshorti i saj Dritan Osmani.
Precedenti
Burime nga materniteti bëjnë të ditur se para dy vjetëve në të njëjtin institucion, një tjetër grua e re ka ndërruar jetë në kushte të ngjashme me 25-vjeçaren Enkeleda Osmani. Hetimet shënojnë rastin e disahershëm që familjarët akuzojnë mjekët për vdekjen e të afërmes së tyre. Megjithatë, deri më sot njihet vetëm një rast në të cilin gjykata ka dhënë vendim për dënimin e një infermiereje për mjekim të pakujdesshëm. Në të gjitha rastet e tjera, bluzat e bardha kanë arritur të dalin të justifikuara në veprimet e tyre.