E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, pranga për drogë 2 vëllezërve

Policia e Gjirokastrës ka bërë të mundur arrestimin e dy vëllezërve pasi akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike. Burimet nga policia e Gjirokastrës bëjnë me dije se gjatë një operacioni të koduar "Bliri" janë arrestuar dy vëllezrit Myslym dhe Sali çaushi, përkatësisht 55 dhe 50 vjeç pasi akuzohen për kultivim lëndësh narkotike. Sipas policisë droga është evidentuar e mbjellë në disa parcela në afërsi të varrezave të fshatit Kamçisht të Komunës Qesorat të Rrethit Tepelenë, pronë e dy vëllezërve çaushi.
Mbi bazën e informacioneve të marra policia ka bërë kontroll të zonës ku rreth 30 metra larg varrezave të këtij fshati janë evidentuar 5 parcela të hapura rishtas në mes të pemëve dhe shkurreve, të cilat ishin të kultivuara me bimë narkotike. Menjëherë forcat e Policisë kanë bërë rrethimin e vendit dhe ka arrestuar dy vëllezrit.
Nga kqyrja e bërë këtyre parcelave nga ana e grupit hetimor rezultoi se në këto parcela kishte 220 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa të cilat varionin nga 80 centimetra deri në 120 centimetra të larta.
Ndërkohë policia njofton se ka bërë asgjesimin e këtyre bimëve si dhe janë marrë një sasi bimësh në cilësinë e provës materiale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›