E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, reshjet shkaktojnë dëme

Foto ilustruese

GJIROKASTËR- Dëmtime rrugësh, rrezik shembjeje për banesa e çarje urash. Janë këto dëmet e shkaktuara në qarkun e Gjirokastrës, pas reshjeve intensive të ditëve të fundit. Informacionet e marra pranë zyrës së emergjencave civile tregojnë se shirat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në gjithë gjatësinë e rrugës Tepelenë- Progonat, aksin Këlcyrë-Berat, Kolonjë-Golem, ndërsa janë çarë e dëmtuar ura e Komarakut, që u bë e pakalueshme për automjetet si dhe ajo e Bënçës.

Ndërkohë, 7 banesa në fshatrat Katundishtë e Piskovë në rrethin e Përmetit si dhe në fshatin Picar të rrethit Gjirokastër janë rrezikuar për shembje, për shkak të rrëshqitjes së dheut.

Reshjet e dëborës kanë shkaktuar edhe bllokimin e aksit rural Pagri-Frashër në rrethin e Përmetit, për shkak të trashësisë së dëborës që shkon në 30 cm. Janë vështirësisht të kalueshme akset Poliçan-Zagori, Poliçan-Pogon, Kolonjë-Golem në rrethin e Gjirokastrës dhe Bënçë-Progonat, Ballaban-Buz e Kiçok-Malas në rrethin e Tepelenës. Trashësia e dëborës në këto zona është 10 cm.

Të njëjtat burime pohojnë se po ndërhyrhet në pikat problematike si dhe po lidhen kontratat me borëpastrueset për t’u paraprirë situatave që mund të krijohen në periudhën në vijim. / Entela Bani

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›