E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hap pozitiv ngritja e komisionit për reformën zgjedhore”

21-12-2011 / Gazeta 55

Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Tiranë, Fiona Mcilwham

Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Tiranë, Fiona Mcilwham e ka cilësuar si hap pozitiv tryezën e partive politike për ndryshimet në reformën zgjedhore.
Duke folur nga qyteti i Shkodrës ku mori pjesë në ceremoninë e dhënies së titullit “Qytetare nderi” të shkrimtares Edit Durham, Mcilwham ka theksuar se tryeza për reformën zgjedhore është një sinjal i mirë për procesin integrues të vendit.
“Patjetër që është një hap shumë i rëndësishëm që tani kemi një bashkëpunim për reformën zgjedhore, por duhet rezultati konkret dhe shpresoj që të gjithë do të bëjnë diçka konkrete për të avancuar në këtë drejtim në respekt të Shqipërisë në rrugën e saj për në Europë”, u shpreh ambasadorja britanike.
Lidhur me pretendimet e partive të vogla dhe shqetësimin që kanë shprehur për përfaqësimin e tyre dhe se, sa do të ndikojë diplomacia angleze në këtë drejtim, ambasadorja Mcilwham u shpreh, se “për këtë çështje nuk mund të përgjigjem në detaje sepse për këtë ka një grup që është i angazhuar për çdo gjë dhe se është e rëndësishme tani që përfaqësuesit e të gjithë partive kanë mundësi për të biseduar për këtë problem dhe më pas të propozojnë zgjidhjen e tij”.
Më herët, kryetari i bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, priti në zyrën e tij, Ambasadoren e Britanisë së Madhe në Tiranë, Mcilwham, ku pasi e ka falënderuar për praninë e saj në qytetin verior, ka përmendur rolin historik që Britania e Madhe ka luajtur ndër vite në të mirë të Shqipërisë. Luka është ndalur tek realizimi pak kohë më parë i një projekti në drejtim të përmirësimit të jetës sociale që është implementuar në qytetin e Shkodrës falë një financimi të realizuar nga ana e  Britanisë së Madhe.
Nga ana e saj, Mcilwham ka pohuar se, “që nga hera e fundit që unë kam vizituar  Shkodrën, vërej se  ky qytet ka pësuar ndryshime të ndjeshme në infrastrukturën e tij. Tani që jam përsëri në Shkodër, do të isha e interesuar të mësoj më shumë edhe për situatën sociale që kalon Shkodra, për rolin e grave në vendimmarrje si dhe në drejtim të njësive vendore lokale”, është shprehur Ambasadorja Mcilwham.
Gjatë këtij takimi, kryetaret e grupeve të Këshillit Bashkiak të Shkodrës kanë folur për funksionimin e këtij institucioni, marrëdhëniet mes këshilltarëve dhe grupeve politike në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Shkodrës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›