Gjirokastër, romët pa shkollim
Jashari është një rom 35-vjeçar me shtatë fëmijë të vegjël, që jeta dhe skamja e kanë përplasur në mjerim. Për të siguruar bukën e gojës, bashkë me katër fëmijët nga 7 deri në 10 vjeç, ai mbledh gjithë ditën kanoçe, ndërkohë që fëmijët e tij kanë braktisur shkollën në pamundësi për ta vazhduar atë. Kjo është një histori që ndeshet shpesh përanash qyteteve të rëndësishme në Shqipëri e që rrëfen edhe situatën sociale në të cilën ndodhet ky komunitet.
Jashari është rom, babai i shtatë fëmijëve të vegjël që jeton në një kasolle plastmasi në periferi të qytetit të Gjirokastrës. Në banesën e tij ka fare pak orendi, një dollap buke, ca shtroje dhe disa shtretër të improvizuar mbi tulla. Gruaja e Jasharit gjithë ditën lan rroba në përroin që kalon aty pari, pasi tre nga fëmijët janë gati motakë. Katër të tjerët kanë moshën e shkollës, nga klasa e parë deri në të gjashtën. Po në banesë nuk duket asnjë gjurmë çante apo librash e fletoresh. Kur e pyes Jasharin se si e përballon jetën, ai thotë thjesht: "E përditshmja është e rëndë. S'kemi asnjë të ardhur, asnjë njeri në punë". Çdo ditë Jashari merr me vete katër fëmijët më të rritur, ata që duhet të jenë në shkollë dhe del për punë. Gërmon në të gjitha togjet e plehrave. Kërkon kanoçe dhe i mbledh. Ndonjëherë aty gjen dhe ushqimin e përditshëm. Kur matem t’i them se fëmijët nuk duhet t’i marrë me vete, sepse ata duhet të jenë në shkollë, ai tund kokën si të më rrëfejë se e di ligjin. “E di, - thotë Jashari, - që mbase nuk lejohet. I detyruar, i detyruar, i detyruar, shumë i detyruar. Sakrifikojmë, lakmojmë, çdo gjë e bëjmë nga e keqja”. Por si Jashari ka shumë familje rome që ekzistencën e tyre e sigurojnë në këtë mënyrë, duke e harruar e braktisur traditën e punës me dorë, bërjen e shportave dhe kanistrave me shelgjet e lumit. Dhe jo se kanë harruar, por nuk ka treg dhe as kujdes për ta. Kurbatkat e lumit, vallet e gëzimin e tyre, tani e gjen veç në libra. Komuniteti rom jeton tani në gjendje të mjerueshme.
Situata njihet, por pak ose aspak bëhet për ndryshimin e saj. Përfaqësuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Kaliopi Bici, shprehet: "Mbetet një problem i mprehtë respektimi i të drejtave të minoriteteve dhe veçanërisht i minoritetit rom, po kështu edhe integrimi e tyre në jetën e përditshme". Analfabetizmi dhe heqja e mundësisë së shkollimit të fëmijëve romë, është një plagë e rëndë e shoqërisë shqiptare sot. Përgjegjëse e Zyrës së Mbrojtjes së Fëmijëve në Bashkinë Gjirokastër, Marianthi Badjave, thotë: "Zyra për mbrojtjen e fëmijëve të Bashkisë Gjirokastër ka një numër të konsiderueshëm në nevojë, të identifikuar rreth 70 fëmijë. Kemi filluar punën për identifikimin e fëmijëve të rinj në nevojë, duke bashkëpunuar me drejtorinë rajonale të arsimit në Gjirokastër, me drejtoritë e shkollave të ciklit të ulët".
Një nga zgjidhjet si pas përfaqësueses të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Kaliopi Bici, është: "Parandalimi i diskriminimit si një nga drejtimet kryesore të Konventës Kuadër të të Drejtave të Njeriut, dhe këtu problemi është shumë i dallueshëm tek trajtimi diferencuar i romëve".
Sociologu e studiuesi Lambi Bllani pohon se për të arritur rezultate konkrete nuk duhen fjalë e studime, por: "Nëse duam të ndryshojmë diçka në këtë komunitet duhet të bëjmë një standardizim nga ana e shtetit tonë, ashtu si për gjithë qytetarët e tjerë, ashtu dhe për ata qytetarë të komunitetit rom, në mënyrë që të kemi rezultate konkrete".
Historia njerëzore e Jasharit rom është një nga dhjetëra rastet që ndeshen lehtë përanash qyteteve të rëndësishme në Shqipëri. Ai është një apel për shtetin shqiptar dhe shoqërinë civile.
Maqedoni
Themelohet Muzeu i Alfabetit Shqip
Në 101-vjetorin e kongresit të Alfabetit, qeveria ka vendosur themelimin e Muzeut të Alfabetit në qytetin e Manastirit. Ndërsa sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në bashkëpunim me lëvizjen qytetare “Zgjohu” dhe Shoqatën e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, do të organizojnë një tribunë shkencore. Manifestime për nder të kësaj dite do të mbahen edhe në manastir. “Janë dy lokale përdhese, të cilat janë privatizuar ndoshta në mënyrë të paligjshme, mirëpo ne si qeveri kemi qëndrim që ato lokale të zëvendësohen ose të kompensohen në ndonjë vend tjetër dhe procedurat tani janë duke rrjedhur. Por pa marrë parasysh çështjet pronësore, juridike, me këto dy lokale ne do të miratojmë vendim për themelimin e Muzeut të Alfabetit në Manastir dhe ai do të fillojë të funksionojë me dy katet, që gjenden në atë objekt. Në buxhetin për vitin e ardhshëm kemi ndarë edhe mjete financiare për punësimin e katër punonjësve, të cilët së bashku me drejtorin do të jenë të punësuar në Muzeun e Alfabetit në Manastir”, - ka deklaruar zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi.
INA