Gjirokastër, sekuestrohen 150 kg kanabis, vinin nga Lazarati
Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar një sasi prej 150 kilogramësh marijuanë që po transportohej në drejtim të Sarandës. Sipas burimeve nga policia, në përfundim të operacionit policor “Piloti”, u bllokua sasia e lëndës narkotike, e cila vinte nga Lazarati. Marijuana ishte fshehur në një automjet tip “Mercedes Benz” me targa të Tepelenës. Transportuesi i saj arriti që të largohej duke iu shmangur arrestimit nga policia. Sipas burimeve nga policia është identifikuar personi që drejtonte këtë automjet dhe po punohet për kapjen e tij.
Në tre aksionet e fundit, uniformat blu të Gjirokastrës kanë sekuestruar një sasi prej 600 kg marijuanë, që vinte nga Lazarati.
Operacioni
Pas marrjes së informacionit në rrugë operative se një automjet, i cili transportonte një sasi droge, po lëvizte në drejtim të Gjirokastrës, agjentët kanë nisur nga puna për bllokimin e tij. Sipas burimeve nga policia, aksioni u përqendrua gjatë të gjithë aksit rrugor Gjirokastër–Jorgucat. Punonjësit e policisë kanë parë një automjet tip “Mercedes Benz” me targa TP 1221 B në rrugën poshtë fshatit Lazarat, në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë duke lëvizur me shpejtësi të madhe. Forcat e policisë kanë nisur ndjekjen. Drejtuesi i mjetit ka dalluar se ishte vënë në ndjekjen e policisë dhe menjëherë ka shtuar shpejtësinë. Por ndjekja nuk ka vazhduar shumë gjatë, pasi si pasojë e shpejtësisë së madhe në kthesën e fshatit Derviçan, makina ka dalë nga rruga duke u përplasur me bordurën mbajtëse të autostradës. Drejtuesi i saj ka braktisur makinën dhe është larguar me shpejtësi në zonën përreth, duke i shpëtuar arrestimit. Punonjësit e policisë kryen menjëherë kontrollin e automjetit, ku gjetën të vendosura 55 pako, me peshë 1 kilogram secila. Ndërkohë që në makinë ishte vendosur edhe një çantë shpine e mbushur, e cila peshonte 26 kilogramë. Në bagazhin e makinës u konstatuan 45 pako me peshë 1 kilogramë secila, si dhe një çantë shpine e madhe e mbushur me 24 kilogramë lëndë narkotike. Sipas policisë, makina me të cilën transportohej droga ishte e denoncuar e vjedhur në Sarandë para disa ditësh.