Ndalohen shtatë “supergrabitësit” e kasafortës me 600 milionë lekë
Më 28 prill të këtij viti në Tiranë, një kasafortë 500-kilogramëshe, ku mbaheshin të mbyllura 600 milionë lekë “u zhduk” nga banesa e një biznesmeni, që ndodhej në katin e nëntë të një pallati në Tiranë. Vetëm pas tetë muajsh, policia e kryeqytetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vunë në pranga shtatë “superhajdutët”, autorët e kësaj grabitjeje të bujshme, të cilët akuzohen për disa vjedhje të tjera të kryera në vend.
Sipas burimeve nga policia, të ndaluarit, kishin arritur të kryenin grabitje spektakolare, nga më të vështirat, duke u shndërruar në një “makth” të vërtetë për policinë dhe për bizneset e shumta në vend. Vepronin me anë të një taktike të mirëstudiuar, që vetëm brenda tetë muajve nëpërmjet “punës së bërë”, u kishte mbushur “xhepat” atyre me rreth 680 milionë lekë të vjetra. Por sipas burimeve nga policia, grabitësit ushtronin këtë aktivitet prej gati 9 vitesh. Pas hetimeve të kryera, policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe policinë e Durrësit vunë në pranga shtatë persona. Sipas hetuesve, grabitësit përzgjidhnin biznesmenët ose firmat e mëdha dhe pasi zbulonin vendin ku mbaheshin lekët, “godisnin”. Nuk ndaleshin para asnjë vështirësie. Përgjithësisht vepronin në fshehtësi e me shpejtësi. Nëse kasaforta ishte shumë e vështirë për t’u hapur, e merrnin me vete, largoheshin nga vendi ku kishin kryer vjedhjen dhe më pas, kishin të gjithë kohën që dëshironin për ta hapur, sado e vështirë që mund të ishte. Goditja e tyre më e madhe e zbuluar nga grupi hetimor ishte më 28 prill të këtij viti, ku ata kanë arritur të vjedhin nga shtëpia e një biznesmeni një kasafortë, me mbi gjysmë miliardi lekësh.
Por ky rast nuk është i vetmi, që ky grup grabitësish kishte arritur të alarmonte policinë e Tiranës. Më 23 tetor, të arrestuarit e policisë u futën në ambasadën daneze, ku arritën që të grabisnin prej aty një kompjuter Lap-Top. Ngjarja krijoi “rrëmujë” dhe ambasada u mbyll për gati dy ditë. Ndërkohë që të shumta janë grabitjet e kryera nga të arrestuarit përgjatë bizneseve të autostradës Tiranë-Durrës. Goditja e fundit e shtatë të ndaluarve ishte para tri ditësh në Durrës, ku ata vodhën nga një agjenci turistike një kasafortë. Sipas drejtorit të Policisë së Qarkut të Tiranës, Tonin Vocaj, “finalizimi me sukses i këtij operacioni është arritur edhe në sajë të bashkëpunimit të shkëlqyer të Seksionit Kundër Vjedhjeve në Policinë e Tiranës, me prokurorë të Krimeve të Rënda Tiranë”.
Policia ka shoqëruar të ndaluarit në qelitë e paraburgimit, ndërsa po punon për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në bandën e grabitësve.
Operacioni
Prej tetë muajsh, policia kishte nisur nga puna për të goditur grupin e grabitësve. Të shndërruar tashmë në një problem serioz, agjentët e policisë po mblidhnin informacione në terren për të kërkuarit. Ditën e djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Hijet e natës” i realizuar pas një pune intensive disamujore, me metodat speciale të hetimit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Tiranë, u finalizua me sukses goditja e një grupi të strukturuar kriminal, duke arrestuar 7 persona. Në prangat e uniformave blu ranë 26-vjeçari Elton Lika, i proceduar më parë për veprën penale të “vjedhjes”, Sajmir Kuçi, 26 vjeç, i proceduar më parë për veprën penale të “vjedhjes me armë”, Sulejman Bakalli, 26 vjeç, i proceduar më parë për veprën penale të “vjedhjes me armë”, 28-vjeçari Taulant Mataj, i proceduar më parë për “shpërndarje të lëndëve narkotike”, Euklid Habili, 27 vjeç, i proceduar më parë për veprën penale të “vjedhjes”, Dritan Duka, 28 vjeç, i proceduar më parë për veprën penale të “falsifikimit të vulave, stampave e letrave me vlerë” dhe 31-vjeçari Admir Burri, i proceduar më parë për “vjedhje me armë”, të gjithë lindur e banues në Tiranë. Të ndaluarit janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit.
Vjedhjet e kryera
Sipas burimeve zyrtare nga policia, shtetasit e ndaluar Elton Lika, Taulant Mataj dhe një person tjetër i shpallur në kërkim, dyshohen se më datë 12.12.2009 në qytetin e Durrësit, kanë vjedhur me thyerje agjencinë e udhëtimeve “Adriatika”. Për të ndaluarit rëndojnë disa akuza për disa grabitje të ndodhura në Tiranë, Durrës dhe në bizneset e shumta në superstradën Tiranë-Durrës. Më datë 06.12.2009, kanë tentuar të vjedhin kasafortën në firmën “Skutari”, e ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës.
Më datë 06.12.2009, dyshohen se kanë vjedhur një sasi parash prej 10 milionë lekësh në ambientet e firmës “Ferlut”, në Tiranë, ndërsa më datë 11.11.2009, kanë tentuar të vjedhin agjencinë e udhëtimeve “Pasha Travel”, e ndodhur në rrugën “Vaso Pasha” në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, më datë 03.11.2009 kanë vjedhur kasafortën në ambientet e firmës së ndërtimit “Merkaj”, me një sasi parash prej 10 milionë lekësh. Më datë 23.10.2009, dyshohen se kanë kryer vjedhjen e ambasadës daneze në Tiranë.
Kurse, më datë 02.10.2009, kanë tentuar vjedhjen e kasafortës në banesën e biznesmenit Dritan Pashaku.
Një nga grabitjet e tyre më “të bujshme” ka qenë ajo e datës 28.04.2009, ku kanë kryer vjedhjen e kasafortës së biznesmenit Ilirjan Çela, ku kanë marrë një shumë prej 600 milionë lekësh.
Më datë 30.03.2009 akuzohet se kanë vjedhur kasafortën e agjencisë turistike “ATHS”, ku është marrë shuma e parave prej 30 milionë lekësh.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi një kasafortë, dy automjete, të cilat shërbenin për lëvizjen dhe transportin e sendeve të vjedhura, 2 lap-top, një sasi prej 4.000 euro, aparate celularë dhe mjete që shërbenin për hapjen e kasafortave.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, policia e Tiranës disponon informacione se këta shtetas në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, kanë kryer një sërë vjedhjesh, që prej vitit 2000 në autostradën Tiranë-Durrës, si dhe për një sërë vjedhjesh të tjera të ndodhura në Tiranë.
Detaj
680 milionë lekë është shuma e parave të grabitura nga superhajdutët në pesë vjedhjet e fundit
8 muaj kanë zgjatur hetimet e nisura nga policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, për të arrestuar grabitësit
600 milionë lekë është shuma e parave të marra, nga vjedhja më e bujshme e provuar nga grupi hetimor
Grabitja e kasafortës me 600 milionë lekë
Një vjedhje spektakolare ka ndodhur në kryeqytet, ku është grabitur një kasafortë 500-kilogramëshe, që brenda kishte 600 milionë lekë. Ngjarja ndodhi në mëngjesin e 28 prillit, në apartamentin e biznesmenit të ndërtimit, Ilirjan Çela, në rrugën "Hamit Shijaku", pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Banesa e të dëmtuarit është në aktin e fundit të një pallati 9-katësh. Sipas burimeve nga grupi hetimor, pasi kasaforta është zbritur në katin e parë, autorët e kanë ngarkuar atë në një furgon që më pas është larguar nëpërmjet një rrugice, që të nxjerrë në rrugën "Haxhi Dalliu", rreth 100 metra mbi Prokurorinë e Tiranës. Nga hetimet e kryera dyshohet se autorët kanë arritur të hyjnë në katin e fundit të pallatit nëpërmjet një apartamenti që ndodhet poshtë shtëpisë së pronarit. Grabitësit kanë përdorur oksigjen, për të hapur bravën e derës dhe më pas nëpërmjet ballkonit kanë hyrë në banesën e biznesmenit prej nga kanë nxjerrë edhe kasafortën.
Biznesmeni i ndërtimit, kur ka ndodhur grabitja nuk ka qenë në Tiranë. Në banesën ku ai qëndronte, ishte përpjekur që të krijonte një ambient tepër të sigurt, ku grabitja të ishte diçka e pamundur. Shuma e parave mbahej në një kasafortë 500-kilogramëshe, ndërkohë që në katin e fundit të pallatit kishte disa nivele sigurie gjithashtu.
Në katin e tetë ishte një derë, që nuk të lejonte të kaloje më sipër. Ndërkohë që në brendësi të apartamentit, kishte edhe tri dyer të brendshme të blinduara përpara mbërritjes tek kasaforta. Por “superhajdutët” kanë lënë me gojë hapur pronarin e banesës me policinë, nëpërmjet “zgjidhjes” që kanë gjetur në kryerjen e grabitjes me të veçantë dhe më të madhe të ndodhur në kryeqytet.