E Diel, 1 Nëntor 2026

CEZ: ERE të rrisë energjinë, kemi marrëveshje me qeverinë



Një ditë para se Enti Rregullator i Energjisë të bëjë publik faktin nëse ka miratuar rritje të tarifave të energjisë elektrike, CEZ, kompania çeke që ka blerë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes në Shqipëri (OSSH), ka publikuar faktin se rritja e çmimit të energjisë elektrike tashmë është një marrëveshje e mbyllur mes tyre dhe qeverisë shqiptare. Sot pritet që ERE të publikojë tarifat e reja të energjisë, pas kërkesës së OSSH-së për rritje 23 për qind të tyre në fillim të muajit shtator. Ndërsa dje përfaqësuesit më të lartë të CEZ, kompanisë çeke, në një konferencë për shtyp zbardhën detajet e marrëveshjes mes tyre dhe qeverisë që në kohën që kanë blerë OSSH-në. Josef Heisek, drejtuesi i lartë i kompanisë CEZ, bëri të ditur para gazetarëve se qeveria dhe kompania e tyre kanë bërë një marrëveshje me qeverinë në bazë të së cilës do të rrisin çmimin e energjisë përgjatë 5 viteve të para, që nga koha e blerjes. Drejtuesit e kompanisë çeke kanë bërë publike dje detajet e marrëveshjes mes tyre dhe qeverisë, lidhur me rritjen e çmimit të energjisë.

Heisek tha dje se në bazë të kësaj marrëveshjeje të nënshkruar mes palësh, rritja e energjisë do të bëhet për pesë vitet e para. Ai tha se është firmosur një deklaratë rregullatore, në të cilën qeveria shqiptare ka hedhur firmën për një rritje dyshifrore të energjisë dhe të përvitshme për 5 vitet e ardhshme. “Ne po i bëjmë kërkesat tona në bazë të marrëveshjes që kemi me qeverinë shqiptare. Në marrëveshjen me CEZ dhe qeverinë shqiptare, të dyja palët kanë rënë dakord që duke filluar nga viti 2010 deri në vitin 2014, çmimi i energjisë të rritet me 15 % plus inflacionin, kjo është një garanci edhe për planin e investimeve. Ne kemi rënë dakord me qeverinë tuaj”, - tha dje Heisek. Kjo deklaratë e tij duket se paralajmëron vendimin që pritet të zbardhet sot nga ERE, ku tarifat e energjisë nuk do jenë aspak të mirëpritura nga konsumatorët shqiptarë. Heisek tha se Enti Rregullator i Energjisë ka përgjegjësi të zbatojë këtë marrëveshje që ka nënshkruar qeveria shqiptare dhe se nuk ka arsye që të devijohet nga marrëveshja. Por gjithsesi, CEZ ka një AS nën mëngë, nëse ERE nuk do të pranojë të rrisë çmimin e energjisë sipas kërkesës së bërë prej tyre. Pronarët çekë të OSSH-së paralajmëruan dje se në rast se do të mbeten të pakënaqur nga rritja, ata mund t’i drejtohen për zgjidhje Bankës Botërore, e cila ka dalë garant për këtë proces. Banka Botërore ka ngurtësuar një fond, i cili do të përdoret vetëm në rast se qeveria shqiptare nuk rrit sa duhet tarifat e reja, të cilat janë parashikuar të jenë çdo vit 18% më të larta. Kjo do të thotë, se ky do të jetë niveli dysheme me të cilin do të përballen qytetarët nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Nga ana tjetër, lidhur me abonentët që nuk paguajnë energjinë e konsumuar, çekët thanë se do të jenë të prerë me ta, kush ka detyrime të papaguara nëse nuk i paguan brenda 10 ditëve, do t’iu ndërpritet energjia. Ndërsa për ata që ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme në rrjet do të ndiqen rrugët penale, përfshirë këtu edhe rastet kur vetë punonjësit e OSSH-së ndihmojnë në këtë shkelje.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›