E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohet kamioni me mallra kontrabandë, në kërkim dy doganierë



Policia e Gjirokastrës ka bllokuar një kamion me mallra kontrabandë që vinte nga Greqia, ndërkohë ka shpallur në kërkim dy doganierë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Uniformat blu kanë ndaluar drejtuesin e kamionit, Renato Tushen, 43 vjeç, ndërkohë që emrat e dy punonjësve në doganën e Kakavijës nuk janë bërë të ditur për arsye hetimi. Sipas burimeve zyrtare, dy punonjësit e pikës doganore të Kakavijës akuzohen se nuk kanë regjistruar në sistemin elektronik në doganë të dhënat e një kamioni që ishte zhdoganuar dhe kanë pajisur shoferin e kamionit me dokument fals. Në kamion kishte arka me kavanozë me majonezë, qindra shishe me pije freskuese, të tjera me vaj për gatim, pako me detergjent, me oriz e të tjera mallra ushqimore, të cilat po kalonin kontrabandë nga Greqia në drejtim të Shqipërisë.

Bllokimi

Pas informacioneve të marra në rrugë operative, se një kamion tip “Volvo” po transportonte mallra ushqimore kontrabandë në drejtim të Tiranës, specialistët e Sektorit Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër janë organizuar për bllokimin e tij. Mjeti ishte duke lëvizur në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë dhe ai është ndaluar në hyrje të qytetit të Tepelenës. Kamioni tip “Volvo” me targa TR 18 80 R drejtohej nga shtetasi Renato Tushe i datëlindjes 1966, lindur dhe banues në Gjirokastër. Nga veprimet hetimore të kryera nga policia, rezultoi se praktika që mbante me vete drejtuesi i mjetit me atë që ndodhej në sistemin elektronik në doganën e Kakavijës ishte e falsifikuar dhe në sistemin elektronik në doganë nuk ishte hedhur asnjë e dhënë.

Pasi u bënë verifikimet në sistemin TIMS të Policisë Kufitare, në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kakavijë dhe të kamerave të doganës, rezultoi se ky automjet kishte hyrë nga Greqi për në Shqipëri rreth orës 16:43, të datës 11.12.2009 dhe është larguar nga ambienti i territorit doganor pa bërë zhdoganimin e mallit.

Policia menjëherë bëri shoqërimin e Tushes në komisariat, si dhe sekuestroi mallin që kishte në mjet. Drejtuesi i mjetit akuzohet për kryerjen e veprës penale të “kontrabandës me mallra të tjera”. Ndërkohë, ndaj dy doganierëve, të cilët kishin turnin gjatë kohës që ka kaluar kamioni me mallrat kontrabandë, ka nisur procedimi penal për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Policia po punon për arrestimin e tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›