Gjirokastër, sekuestrohen 4 pika lojra fati pa licensë

Policia e Gjirokastrës në sajë të operacionit të koduar "Fati", ka sekuestruar 4 pika lojra fati e llotari sportive të palicensuara. Burime nga policia bëjnë me dije se nga kontrolli i ushtruar në disa nga lokalet që shërbejnë për zhvillim të aktivitetit të lojrave të fatit dhe llotarive sportive, të cilat frekuentoheshin kryesisht nga elementë me precedentë kriminal, rezultoi se katër pika të lojrave të fatit dhe llotarive sportive ushtronin aktivitetin në mënyrë të paligjshme pasi ishin të pa licensuara , ku dy në qytetin e Përmetit , një në qytetin e Teplenës dhe një në qytetin e Gjirokastrës.
Gjithashtu sipas policisë po procedohen penalisht në gjendje të lirë katër pronarët e pikave të lojrave të fatit të sekuestruara nga policia, për ushtrim aktiviteti të paligjshëm të lojrave të fatit të pa licensuar dhe vënie në dispozicion të ambinteve për këto aktivitete të kundraligjshme.
Sipas policisë janë sekuestruar edhe 23 makineri lojra fati , 17 televizorë dhe 6 kompjutera së bashku me aksesorët që shërbenin për llotari sportive. Ndërkohë policia po vijon aksion për kontrollin e të gjitha lokaleve që shërbejnë për zhvillim të aktivitetit të lojrave të fatit dhe llotarive sportive në qarkun e Gjirokastrës.