Krimi në vend, Balla: Brenda disa muajve 500 të vrarë
Deputeti socialist Taulant Balla ka akuzuar dje Ministrinë e Brendshme dhe policinë se këto dy institucione kanë dështuar në lidhje me krimin në vend. Taulant Balla ka deklaruar dje se situata e krimit në vend është kritike, ku thekson se në këto muaj është regjistruar një bilanc tragjik jetësh të humbura. Në një konferencë për shtyp, zhvilluar pranë Ministrisë së Brendshme, deputeti socialist Balla u shpreh se 500 qytetarët që kanë humbur jetën dhe janë plagosur në 3 muajt e fundit, janë prova më tragjike se shteti ka rënë. Sipas tij, vrasjet, plagosjet, vjedhjet me dhunë, vjedhjet e makinave, grabitjet me armë të dyqaneve e bankave që janë kthyer tanimë në një epidemi të vërtetë, tonelatat e drogës që trafikohen çdo muaj, janë fakte që flasin qartë për shthurjen e ligjit dhe rendit në Shqipëri.
Deklarata
Ndër të tjera deputeti Balla ka akuzuar drejt përdrejt kryeministrin e vendit duke thënë se; Sot shteti i Sali Berishës ka kapitulluar përballë krimit. Ministri i Brendshëm del e sulmon opozitën e deklaron se janë marrë të gjitha masat për parandalimin e krimit. Por Flamuri e ka të shkruar në ballë, që nuk e bën dot Ministrin e Brendshëm, prandaj sot llogaritë ia kërkojmë Saliut, u shpreh Balla ditën e djeshme. Deputeti socialist nënvizoi gjithashtu se Policia e Shtetit është krejtësisht e paaftë të garantojë sigurinë publike në rrugë dhe në komunitet, pasi sipas tij, ajo ka humbur besimin e qytetarëve sepse në vend që të jetë një institucion në shërbim të qytetarëve, është kthyer tanimë në një strehë militantësh e individësh me precedentë kriminalë e të përfshirë në grupe kriminale.
Akuzat
Ndër të tjera Balla ka deklaruar se shifrat e paraqitura nga Ministri i Brendshëm Flamur Noka nuk janë veçse trillime. Saliu dhe Flamuri i partisë deklarojnë se janë zbuluar 88% e vrasjeve, një shifër ku përfshihen edhe të gjitha rastet e vetë-dorëzimit. Por plot 12% të rasteve, që janë pikërisht edhe krimet më të rënda, mbeten ende të pazbuluara. Kanë kaluar tre vjet nga vrasja e deputetit Fatmir Xhindi. Kush është vrasësi? A po vazhdojnë hetimet? Kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë (25 Tetor 2010) nga vrasja e kryekomunarit Remzi Veseli. Kush është vrasësi? Kanë kaluar 9 muaj nga vrasja makabër e gjyqtarit Skerdilajd Konomi (9 shtator 2011). Kush është vrasësi?, vijoi Balla, për të shtruar pyetjen sesi ka mundësi që për rastet e përsëritura të shpërthimeve të eksplozivit nuk ka asnjë të ndaluar. Deputeti Balla u shpreh gjithashtu se beteja ndaj krimit, e humbur tanimë nga kryeministri do të fitohet vetëm me largimin e tij, kur policia e shtetit të fillojë sërish të veprojë si një institucion i depolitizuar e në shërbim të qytetarit.