Pirateria e filmave i zhvat kinemasë në Shqipëri 40 % të audiencës
Tiranë- Pakkush di të thotë nëse ka më pak shqiptarë që frekuentojnë mijëra baret dhe restorantet e kryeqytetit si përgjigje e krizës financiare që rëndon në xhepat e shqiptarëve…por kinemanë ama i kanë braktisur një përqindje e konsiderueshme e tyre. Tirana sot numëron 5 salla kinemash, 2 në mjediset e Hotel Sheraton, 1 në Qendrën Kristal, ish-Kinema Agimi e cila ju rikthye kryeqytetit vitin e shkuar, salla këto që përbëjnë rrjetin e Kinemave Imperial. Kinema Millenium është gjithashtu një mundësi për të ndjekur një film. Veçse tani çështja nuk është se ska kinema në Tiranë, siç ngrihej alarmi para viteve 2000. Problemi është që edhe ato që janë hapur, ndodh shpesh të jenë të zbrazta.
Altin Prifti prej pak vitesh drejton rrjetin e Kinemave Imperial në Tiranë dhe teksa ndalet në disa prej ngërçeve me të cilat përballet ky biznes specifik në vend, ngre një shqetësim i cili duhet të jetë i të gjithëve. Në vitin 2012, publiku i kinemasë është tkurrur me 30 % krahasuar me një vit më parë. Ndërsa një numër të konsiderueshëm të audiencës, e largon nga ekrani i madh, nga magjia e artit të shtatë PIRATERIA, e shndërruar në gropën e zezë të këtij biznesi në botë duke bërë që studiot kinematografike të humbasin miliarda dollarë në vit.
Ndërsa përcjellim herë pas here informacione që produksione hollivudiane arkëtojnë miliona dollarë në kinematë e botës, natyrshëm vjen t’ju pyesim, po në Shqipëri, a ekziston biznesi i mirëfilltë i kinemasë?
Mund edhe ta cilësojmë të tillë por ama biznesi i kinemave në Shqipëri është një biznes i mbijetesës dhe nuk bëhet fjalë për sipërmarrje që të jep kënaqësi sa i takon financave, ndonëse të jep kënaqësi të tjera. Është biznes specifik. Ndaj kushdo që mendon se kinemaja është biznes fitimprurës, që mund të sigurosh të ardhura të majme, d.m.th që nuk e njeh aspak këtë lëmi. Kjo sidomos për faktin se Shqipëria është rast specifik sa i takon problematikave që ka, ndaj edhe duhet një debat i gjerë për të parë se si mund të funksionojë kinemaja këtu, pasi gjendemi përballë faktit që ka pak njerëz që e frekuentojnë atë dhe kostot janë marramendëse.
Z. Prifti, dikur në Tiranë ka pasur kinema në çdo lagje veç atyre qendrore, në Shqipëri po ashtu filmi shkonte në çdo cep. Tani në kryeqytet sallat numërohen me gishtat e njërës dorë, kjo është një problematikë e madhe por jo e vetmja…
Kjo është një problematikë e madhe pasi ka bërë që ndër vite shqiptarët ti largoheshin kinemasë pasi nuk kishin ku të shkonin. Por përtej kësaj, ne jemi në një moment tepër të vështirë dhe kur duhet të luftojmë për të ndërgjegjësuar institucionet, ato qendrore dhe lokale për rolin që duhet të marrin. Dikur ka funksionuar mirë pasi të gjitha kinematë kanë qenë publike, nuk ka pasur rrjet të kinemave private siç është sot, çka bën dallim… sot që topi është lënë në portën e sipërmarrësve privatë që kanë investuar në teknologji, salla, punësim dhe blerje të të drejtave të filmave (kosto kjo e jashtëzakonshme për një film që vjen në sallë). Por nga ana tjetër kemi televizionin i cili ka arritur kulmin, e duke mbajtur parasysh që kriza shpirtërore është shoqëruar edhe me atë financiare, edhe pse çmimi i biletës është ¼ e vendeve të rajonit, ndaj edhe ne hasim shumë vështirësi për mbijetesë. Le të flasim pa doreza…! Në vende si Kroacia, biznesi i kinemave subvencionohet nga buxheti i shtetit (mund të jetë edhe administrata lokale)…duke mbuluar një pjesë të çmimit të biletës. Por një tjetër lehtësi është edhe lehtësimi ndaj taksave. Ne nuk jemi kundër tyre, por janë të gjitha hapësirat për të krijuar lehtësira, pasi vlen të përmendet që kostot për projektionin e një filmi janë të jashtëzakonshme pasi kinemaja është nevojë e qytetit, e jona…pasi jetojmë në një vend ku nuk kanë mbetur më salla kinemash, ato që ishin janë transformuar ndaj edhe tani nëse do donim të hapnim kinema në të gjithë vendin, përpos kostos së aparaturave që shkojnë në qindra mijëra euro, po aq duhen edhe për godinat të cilat nuk i ruajtëm.
Ju si rrjet kinemash, keni menduar dhe nuk keni mundur të hapni kinema në qytete të tjera të vendit, çju ka penguar?
Padyshim dhe kemi shpenzuar shumë energji e kohë në biseda publike, private, formale, informale e personale dhe jemi ndeshur me të gjithë ata që munden të investojnë, janë stepur pasi mungon tregu. Në kushtet kur ska treg për një investim madhor siç është kinemaja për ta justifikuar këtë lloj shpenzimi, si investitorët ashtu edhe ne, pavarësisht se licencat i blejmë për gjithë Shqipërinë, nuk mundemi dot ti çojmë filmat aty ku janë shqiptarët. Mungesa e kulturës së kinemasë e këyre viteve të fundit, duke i shtuar edhe varfërinë pasi duhet të pranojnë se çdo buxhet është tkurrur, mund të them pa doreza që edhe ne na është vështirësuar tepër mbijetesa, edhe këtu në Tiranë.
Po thoni se kriza e viteve të fundit ka ndikuar edhe me qasjen e publikut në sallat e kinemasë?
Ne kemi pasur një audiencë të konsoliduar së paku gjatë vitit 2011 dhe vazhdojmë të kemi fanatikët e kinemasë që vijnë pavarësisht krizës. Por ama numri i atyre që zgjedhi të shohin një film në kinema është tkurrur ndjeshëm. Për të ndjellë sa më shumë publik, si rrjet kinemash ne numërojmë rreth 20 oferta të ndryshme të cilat konsidtojnë në uljen e çmimit të biletës por me qëllimin që të thithim publikun të vijë në kinema, e pavarëisht kësaj shqiptarët i janë larguar sallës së kinemasë. Nga përllogaritjet tona, rezulton se vetëm brenda një viti kemi rënie 30 % të audiencës dhe kjo është rënie drastike për ne. Çka do të thotë se kjo përqindje e audiencës sonë nuk mundet më të shpenzojë para për një domosdoshmëri siç është kinemaja. Them domosdoshmëri pasi njësoj si ushqimi për të përbushur nevojat biologjike, edhe kinemaja është ushqimi shpirtëror që duhet ta marrim, pa të cilin jemi të varfër. E kjo ndodh në një kohë kur në Tiranë kanë ardhur filmat më të bujshëm të kinemasë amerikane, një pjesë e të cilave kanë qenë premiera botërore, që kanë ardhur në Tiranë në kohë reale. Filma mega-hit të cilët pavarësisht miliona dollarëve të arkëtuar në botë, në Shqipëri kanë këtë fat.
Mirëpo filmat dështojnë dhe kanë humbje të mëdha edhe për shkak të piraterisë…
Është një problem nga i cili vuan e gjithë bota, vuan kinemaja, televizioni dhe gjithçka e lidhur me këtë biznes. Kompanitë e produksioneve humbasin miliona nga pirateria. Ne jemi të goditur dhe nga pirateria kemi humbur rreth 40 % të audiencës. Në vit, ne sjellim 10 apo 12 premiera botërore pasi edhe studiot e mëdha nuk na lejojnë të marrim çdo film në kohë reale, jemi treg i vogël. Kjo do të thotë se ne suksesin në thithjen e audiencës do e kemi me këta 12 filma…nga 100 filma që projektohen në kinematë tona gjatë 1 viti. Mirëpo filmat e tjerë janë të piratuar në të shumtën e rasteve dhe kjo na sjell humbje marramendëse. Audienca e re e Shqipërisë që ka akses në internet zgjedh të shkarkojë në film, pavarësisht kënaqësisë që i jep kjo gjë, shuan kureshtjen dhe i largohet kinemasë. Këta janë publik i munguar i kinemasë. Por ajo që më shqetëson më shumë nuk është thjesht audienca e munguar e momentit e kinemasë, por më shqetëson fakti që ky brez rritet me një kulturë si kjo, të piratojë, të shohë diçka nga interneti, të shuajë kureshtjen dhe të mos i afrohet kurrë kinemasë.
E pavarësisht problematikave, janë jo pak ata shqiptarë që zgjedhin ta shohin në kinema filmin shpesh dhe jo në ekranin e vogël të televizorit. Çpreferojnë shqiptarët?
Publiku unë është doemos i shtresëzuar. Mund të them se 10 % e audiencës është ai brez që i ka kaluar të pesëdhjetat, i kultivuar me kinemanë dhe që është publik aq besnik i kinemasë, sa që vj