E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti për tokën, një i vrarë në Tiranë

Kujtim Bakalli ka qëlluar me çifte dje në mesditë fqinjin e tij Xhevdet Qefalia, i cili ka vdekur rrugës për në spital

TIRANË- Konflikti trevjeçar mes dy familjeve për tre dynym tokë, ka përfunduar me një të vrarë e një të plagosur. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme e në kthesën e Sanatoriumit në Tiranë kur Kujtim Bakalli, 45-vjeç, ka qëlluar me çifte 29-vjeçarin Xhevdet Qefalia. Më pas vëllezërit e këtij të fundit kanë plagosur me levë autorin i cili ndodhet nën masën e arrestit në spital. Forcat e policisë së komisariatit nr.1, si dhe specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat. Burime nga policia thanë se ngjarja ndodhi pas një konflikti mes dy palëve për një tokë të cilën palët e pretendonin si pronë të tyre.

Ngjarja

Sipërfaqja prej tre dynymësh tokë që ndodhet në Sauk të Tiranës, ishte bërë “molla e sherrit” për dy familje. Kujtim Bakalli pretendonte se këtë tokë ia kishte lënë daja i tij në dorëzim pasi ai jetonte jashtë shtetit. Sipas Bakallit, daja i tij e kishte pronë të babait atë, mirëpo kjo tokë kishte pronarë edhe familjen Qefalia. Këta të fundit pretendonin se ishin pronarë të ligjshëm të tokës, pasi dispononin edhe dokumente të cilët ua vërtetonin pronësinë në bazë të ligjit nr.7501. Kështu prej tre vjetësh toka me “dy” pronarë i kishte futur familjet në konflikt. Paraditen e djeshme, 29-vjeçari Xhevdet Qefalia bashkë me vëllezërit e tij po rrethonte tokën, gjë e cila është diktuar nga “pronari” tjetër i tokës, Kujtim Bakalli. Me një çifte në dorë ai ka shkuar atje duke tentuar të ndalojë punimet e Qefaliajve. “Mos puno në tokën time” , mësohet t’i jetë drejtuar Bakalli, 29-vjeçarit i cili i është përgjigjur se ishte tokë e tij. Mes tyre ka filluar një debat i ashpër që ka pasuar me përleshje. Bakalli i ka drejtuar çiften 29-vjeçarit Qefalia dhe e ka qëlluar duke e plagosur rëndë. Pasi kanë parë vëllain të dergjej i gjakosur në tokë vëllezërit Qefaliaj që ndodheshin vetëm pak metra më larg janë afruar duke u hakmarrë ndaj Bakallait të cilin e qëlluan me levë.

Policia

E sinjalizuar për ngjarjen, forca të shumta të policisë mbërritën brenda pak minutash në vendin e ngjarjes. Në tokën e cila kishte qenë për tre vjet shkak sherri mes dy familjeve gjendeshin dy të plagosur. Njëri prej tyre ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital ndërsa autori i vrasjes së tij Kujtim Bakalli kishte pësuar plagë të lehta. Ndërkohë që vetëm pothuajse paralelisht me policinë në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe djali i Bakallit, Endrit Bakalli 18-vjeç i cili mbante një thikë në dorë. Policia kreu edhe shoqërimin e tij duke e akuzuar fillimisht për bashkëpunim në vrasje. Burime nga policia thanë se u shoqëruan edhe vëllezërit e viktimës të cilët do të ndiqen në gjendje të lirë për plagosje të lehtë. Ata qëlluan me levë Kujtim Bakallin 45-vjeç. Ky i fundit u arrestua dhe aktualisht ndodhet në spital. Policia sekuestroi armën me të cilën u vra Xhevdet Qefalia si dhe thikën që kishte në dorë djali i autorit.

Policia: 18-vjeçari u la i lirë, vrasja u krye nga babai

TIRANË- “Pashë babin e plagosur ndaj shkova menjëherë. Mora një thikë për tu vetëmbrojtur”- mësohet të ketë thënë në polici 18-vjeçari Endrit Bakalli, djali i autorit të vrasjes Kujtim Bakalli. Policia fill pas ngjarjes shoqëroi edhe djalin e autorit pasi u dyshua se kishte qenë bashkëpunëtor në vrasjen e 29-vjeçarit Xhevdet Qefalia. Por nga hetimet e mëtejshme u vërtetua se 18-vjeçari kishte shkuar në vendngjarjes pothuajse njëherazi me forcat e policisë. Fakti që ai mbante në dorë një thikë e cila klasifikohej si armë e ftohtë për nga gjatësia, detyroi policinë të kryente shoqërimin e tij. Në dëshminë që ka dhënë para oficerëve të policisë kriminale, adoleshenti ka mohuar se ka qëlluar mbi viktimën duke deklaruar se kishte parë babanë e plagosur dhe shkoi për ta ndihmuar ndërsa kishte marrë një thikë me vete për ta përdorur në rast konfrontimi për vetëmbrojtje. Pas disa orësh djali u la i lirë ndërsa do të ndiqet penalisht për “mbajte pa leje të armëve të ftohta”. Ndërkohë që në gjendje të lirë do të ndiqen edhe vëllezërit e viktimës që sipas policisë sulmuan autorin e vrasjes së vëllait të tyre.

Precedenti

Vrasja në Sauk pak javë më parë

Çështja e pronave shënoi dy viktima pak javë më parë në Sauk. Ngjarja ndodhi më datë 25 nëntor kur Halim Shehu, 70-vjeç, vrau me pistoletë në oborrin e banesës së tij, bashkëshorten Fatime Shehu, dhe pronarin e tokës ku banonte Bexhet Xhabrahimi. Ky i fundit kishte ngarkuar prej disa vitesh Shehun t’i vilte ullinjtë meqë ndodheshin pranë banesës së tij. Ndërsa këtë vit Xhabrahimi kishte vendosur që për ullinjtë që ndodheshin në pronën e tij të kujdesej një tjetër banor i zonës. Por kjo gjë ka revoltuar 70-vjeçarin Shehu i cili nuk ka dashur që personat e huaj të afroheshin pranë banesës së tij për te vjelë ullinjtë. Për të sqaruar këtë çështje Shehu ftoi pronarin e tokës, Bexhet Xhabrahimin, në banesën e tij. Por sapo Xhabrahimi është paraqitur në oborrin e banesës është pritur me plumba nga Shehu, i cili pasi dëgjoi edhe kritikat e bashkëshortes për krimin që sapo kreu, qëlloi edhe mbi të duke e lënë të vdekur. Ai u vetëdorëzua në polici fill pas krimit të dyfishtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›