Vrasja e policit në kazino u krye nga tronditja
TIRANË- Vrasja e ish-efektivit të policisë, Muharrem Lita, nga ish-punonjësi i forcave speciale të policisë së RENEA-së, Kastriot Stojani është cilësuar nga prokuroria e Tiranës, si “vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”. Në këtë konkluzion pas hetimeve disa mujore kanë arritur hetuesit e prokurorisë së kryeqytetit, të cilët ditë më parë vendosen përfundimin e fazës hetimore dhe dorëzuan dosjen penale pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për gjykim. Sipas kërkesës për gjykim që ndodhet tashmë në duart e gjyqtarit Martin Deda, i pandehuri Kastriot Stojani e ka kryer vrasjen e ish-kolegut të tij Lita në kushtet e tronditjes së rëndë psikike. Gjendje kjo që ka ardhur pas sherrit mes tyre dhe dalja jashtë kontrollit të gjendjes së tij emocionale. Vetë i pandehuri, menjëherë pas vrasjes është dorëzuar në polici duke shprehur pendesë të thellë dhe keqardhje për krimin e kryer, që sipas tij “kam qëlluar pa dashje dhe gjithçka ka ndodhur në rrethana aksidentale”, gjatë konfrontimit të tij me Muharrem Litën, i cili prej disa ditësh frekuentonte sallën e lojërave të fatit në afërsi të Stacionit të Trenit ku edhe u krye vrasja. Sipas akuzës, vrasja ka ardhur pasi viktima Lita me humbjen e rreth 80 mijë lekëve të reja në lojërat e fatit që ndodhet në zonën e Stacionit të Trenit ka filluar të qëllojë dhe thyejë aparaturat. Por, viktima Lita nuk ka mundur të kontrollojë veprimet dhe ka filluar të konfrontohet me personat që ruanin rendin dhe qetësinë në sallën e lojërave të fatit, ku mes tyre ishte i pandehuri Kastriot Stojani, në fytyrën e të cilit ekspertët mjeko-ligjorë menjëherë pas vrasjes kanë konstatuar dëmtime nga goditjet. Sipas dosjes, vrasja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes së datës 26 shtator të këtij viti në afërsi të Stacionit të Trenit në dalje të lokalit me lojëra të fatit.