Gjirokastër, shkrumbohet fabrika e bitumit, 5 milionë lekë dëme
Një zjarr i madh ka shkrumbuar materialet e bitumit dhe disa makineri të përpunimit të lëndëve të ndërtimit në Gjirokastër. Bilanci flet për 5 milionë lekë dëme, ndërkohë që nuk janë shënuar persona të lënduar. Zjarri është konstatuar nga punëtorët e firmës së ndërtimit Boci, që pozicionohet në zonën industriale të qytetit të Gjirokastrës.
Flakët janë bërë të dukshme në orën 08:30 të ditës së djeshme dhe gjithçka ka përfunduar me ndërhyrjen e zjarrfikësve, të cilët arritën të lokalizonin brenda një kohe të shkurtër situatën. Disa metër kub bitum si dhe makineri të përpunimit të asfaltit që përdoret për ndërtimin e rrugëve, janë vënë nën flakë brenda 30 minutave.Është dashur ndërhyrja energjike e shërbimit zjarrfikës që të rikthente situatën normale. Pronari i firmës së ndërtimit është shprehur për gazetën se dëmi financiar mund të jetë edhe më i lartë nga ai që është deklaruar fillimisht, por shifra e saktë do të mësohet pas analizimit të të gjitha lëndëve të djegura. Dëshmitarët pohojnë se flakët e zjarrit janë provokuar nga shkëndijat e një saldatriçeje që po riparonte një çarje të ndodhur në një prej agregateve ku mbahen bitumi dhe lëndët e tjera që prodhojnë asfaltin e rrugëve. Ky është rasti i tretë brenda këtij viti, që zjarri dëmton ekonominë e bizneseve prodhuese në Gjirokastër. Rasti i parë këtë vit ishte djegia në masën 60% e fabrikës së prodhimit të kartopecetave në fshatin Sofratikë në Gjirokastër si dhe djegia e një kompleksi për rritjen e derrave në fshatin Andon Poci.