Gripi i derrave alarmon për pak orë Shqipërinë, diplomati dyshohet si i prekur nga virusi A/H1N1

Temperatura e lartë dhe simptomat e ngjashme me ato të gripit të derrave ose siç njihet në gjuhën shkencore, virusi A/H1N1, kanë alarmuar dje strukturat e Shëndetësisë dhe të spitalit infektiv në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Burime pranë spitalit Infektiv në QSUT bënë të ditur se ditën e djeshme ka mbërritur në këtë repart një punonjës i Ministrisë së Jashtme, i cili ka shfaqur gjithë shenjat klinike të gripit të derrave. Menjëherë ndaj shefit të sektorit të OKB në Drejtorinë e Organizatave Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme, 57 vjeçarit Sajmir Rrepishti ka nisur ekzaminimi mjekësor për virusin e rrezikshëm A/H1N1.Më tej ai është izoluar në sallën e reanimacionit në spitalin Infektiv pranë QSUT, duke qenë se dyshohej se kishte të gjitha shenjat e gripit të derrave. Diplomati i Ministrisë së Jashtme, sapo është kthyer nga Damasku i Sirisë ku kishte qenë pjesë e delegacionit shqiptar gjatë Konferencës Islamike për Rezolutën e Kosovës. Sipas burimeve spitalore, 57 vjeçarit i hipi temperatura në avion gjatë kthimit për në Tiranë dhe në ndalesën në aeroportin e Vjenës, ai është dërguar me urgjencë në spital. Mjekët austriakë kanë thënë se ai ishte prekur nga një virus mesdhetar, por e kanë këshilluar që sapo të mbërrijë në Tiranë të bëjë analizat e hollësishme. Por me të mësuar për rastin e mbërritur në QSUT, drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtaj, ka apeluar që qytetarët të mos përfshihen nga paniku, për shkak se sipas tij momentalisht kishim të bënim vetëm me dyshime. Bejtaj ka bërë të ditur se do të jetë rezultati i analizave që do të vërtetojë nëse bëhet fjalë për një rast me A/H1N1. Bejtaj vuri në dukje se është në procedurë të punës të tyre të ekzaminojnë çdo rast me temperaturë të lartë, ashtu siç po veprohet edhe në rastin e dyshuar.
Analizat paraprake të ISHP: Pacienti nuk është prekur nga H1N1
Analizat e duhura për të vërtetuar nëse kemi të bëjmë me një rast virusi HN1HI apo jo, janë dërguar menjëherë në Institutin e Shëndetit Publik, i cili pasditen e djeshme ka nxjerrë analizat paraprake për pacientin e dyshuar me gripin e derrave. Sipas ISHP, pacienti nuk është i infektuar me virusin A/H1N1 dhe nuk ka as shenja të një gripi normal. Sipas Institutit të Shëndetit Publik analizat kanë rezultuar negative, çka do të thotë se virusi A/H1N1 nuk ka mbërritur në Shqipëri. Shefja e departamentit të kontrollit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino bëri të ditur se në Shqipëri nuk ka virus dhe rezultatet e analizave të personit që dyshohej me simptoma të gripit të derrave kanë rezultuar negative. Analizat laboratorike kanë rezultuar negative, kjo gjë e përjashton mundësinë e mbërritjes se gripit në vendin tonë, theksoi Bino.
Sipas ISHP, pacienti i dyshuar me virusin A/H1N1 nuk është futur në karantinë, ndërkohë që do të ekzaminohet për të zbuluar shkaqet e simptomave të tij, të ngjashme me ato të gripit të derrave. 57 vjeçari Sajmir Rrepishti, punonjës i Ministrisë së Jashtme dyshohej se ishte personi i parë që është prekur nga virusi i rrezikshëm, të paktën përsa i përket kësaj periudhe. Megjithatë, burime zyrtare nga shëndetësia bëjnë të ditur se edhe në të kaluarën ka patur raste të dyshuara që janë mbajtur të izoluar, por që në fund kanë rezultuar jo të prekur. Ndërkaq, frika se mos Rrepishti ishte prekur nga gripi i derrave ka ndërgjegjësuar gjithë personelin e spitalit dhe pacientët janë pajisur urgjent me maska mbrojtëse.
Gripi i derrave tashmë është përhapur edhe në Europë dhe rajon. Greqia ka konfirmuar dje rastin e tretë të infektimit me virusin A/H1N1. Bëhet fjalë për një të ri grek 20-vjeçar që mendohet se është infektuar nga një miku i tij, i cili po ashtu po kurohet në spitalin e Athinës. Mëngjesin e djeshëm ministri grek i Shëndetësisë mbajti një mbledhje urgjente në Qendrën Kombëtare të Shëndetit për masat që qeveria greke do të ndërmarrë. Rasti i parë në Greqi ishte ai i një djali 19-vjeçar, i cili u lirua nga spitali i Athinës 1 javë pas infektimit me virusin A/H1N1. Ndërsa në Rumani është konfirmuar rasti i parë i gripit të derrave. Rumania identifikoi dhe konfirmoi dje rastin e parë të infektuar me virusin e gripit A/H1N1 te një grua 30-vjeçare, e cila ishte kthyer nga Nju Jorku javën e kaluar.
Last Updated on Thursday, 28 May 2009 15:50