Gjirokastër, të verbrit kërcënojnë me grevë për pagat mujore
Të verbrit e Gjirokastrës kërcënojnë me grevë urie, në rast se qeveria shqiptare nuk merr masa për përmirësimin e pagesave të tyre mujore. Sipas drejtuesit lokal të shoqatës së të verbërve, Shezai Angoni, të verbrit nuk janë fare në vëmendjen e qeverisë shqiptare, e cila po i lë mënjanë në të gjitha përfitimet financiare që ajo ndërmerr tek sektori publik apo dhe rritjes së pensioneve. Nga rritja e planifikuar në sektorin publik, të verbrit nuk kanë përfituar aspak madje qeveria shqiptare duhet të japë debitin e prapambetur për këtë kategori për çdo person nga 47 mijë lekë, shumë kjo që është ekuivalente me rritjen e pagesave të punonjësve, është shprehur Angoni për gazetën SOT.
Ashtu siç kishte paralajmëruar, Shoqata e të Verbërve në Qarkun e Gjirokastrës zhvilloi tubimin e protestës në sheshin qendror të qytetit, duke mbledhur edhe qytetarë të tjerë të thjeshtë duke mbështetur kërkesat e parashtruara si dhe peticionin dërguar organizmave të ndryshme shtetërore. Sipas përfaqësuesve të kësaj shoqate, tubimi u organizua në kuadër të përpjekjeve me mjete demokratike të 780 anëtarëve të saj për plotësimin e kërkesave të parashtruara organizmave të ndryshme për respektimin e statusit social të kësaj kategorie shoqërore. Në tubimin e djeshëm janë hedhur parulla antiqeveritare duke u përqendruar sidomos tek anatemimi që i kanë bërë ministrit të Punës, Anastas Duro si person që duhet të zgjidhë këtë problem përndryshe të japë dorëheqjen. Nuk na duhen kartat e identifikimit pa lekë. Ato le ti mbajë Berisha dhe shokët e tij, pasi ne nuk na duhen se për të votuar, të tjerët kanë votuar për ne si në 2005 dhe më parë, është shprehur Rasim Mici, i verbër nga Saranda duke shtuar se ne jemi keq për bukën e gojës dhe ajo çfarë përfitojmë, nuk na arrin as për bukë por i bëj thirrje qeverisë që të tregohet e arsyeshme me shtresën të verbërve. Mici ka bërë të ditur gjithashtu se ai do të jetë i pari që do të hyjë në grevën e urisë. Më mirë të vdes, se sa të rroj i parespektuar nga qeveria jonë, përfundon Mici, 62- vjeçar. Për plotësimin e të gjitha kërkesave të peticionit dërguar ditë më parë instancave përkatëse, Shoqata e të Verbërve në Qarkun e Gjirokastrës, shikon si mundësi edhe hyrjen në greve urie deri në plotësimin e tyre.