E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, aksidentohet elektricisti, përfundon në spital në gjendje të rëndë

Një punonjës i OSSH-së në Korçë, ka mbetur i plagosur gjatë punimeve që kryente në një shtyllë të tensionit të ulët. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Voskop të rrethit të Korçës gjatë mesditës të të shtunës. 54- vjeçari Hysen Shaholli, elektricist për komunën e Voskopit ka hipur në një shtyllë të tensionit të ulët për të ndërprerë energjinë elektrike të një lagjeje të fshatit të lartpërmendur, por ka përfunduar në tokë duke marrë dëmtime të shumta trupore. Sipas burimeve të policisë, e cila ka nisur hetimet për ngjarjen, 54- vjeçari ishte duke prerë telat e shtyllës me një gjatësi 8 metër për të evituar ndonjë tragjedi të mundshme në rrugën ku do të kryheshin punime nga një fadromë. Në momentin që Shaholli ka prerë telat, ka përfunduar në tokë me gjithë shtyllën. Plagët e marra kanë qenë të rënda dhe pas transportit për në spitalin e Korçës dhe ndihmës së parë, 54- vjeçari është nisur me urgjencë drejt kryeqytetit për një mjekim më të specializuar. Sipas mjekëve të spitalit juglindor, situata shëndetësore e elektricistit është e rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›