Gjirokastër, vdes në rrugë 56-vjeçari
GJIROKASTËR- I ftohti shënon viktimën e parë në Gjirokastër. Një 56-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e konsumimit të shumtë të alkoolit dhe temperaturave të ulëta. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë të ditur se Andrea Toska është gjetur pa ndjenja në qytetin e Gjirokastrës në vendin e quajtur Ish- agjencia e vjetër e udhëtarëve në lagjen Pllakë.
Në një rrugicë me kalldrëm që lidh lagjen Pllakë me sheshin e ish-angjencisë së udhëtarëve, shtetasi Andrea Toska 56 vjeç, lindur dhe banues në lagjen Pallkë të qytetit Gjirokastër, si pasojë e tejalkoolizimit (përdorimit të alkoolit në sasi të mëdha), është rrëzuar në kalldrëm dhe për pasojë ka mbetur për disa orë pa ndjenja. Shtetasi Andrea Toska është transportuar me urgjencë në spital, por me gjithë ndihmën mjekësore të dhënë, rreth orës 08.30 minuta ka ndërruar jetë. Nga kqyrja e kufomës rezultoi se në trupin e shtetasit Andrea Toska, nuk kishte shenja dhune a dëmtime të tjera, përveç përplasjes në kalldrëm ku ka marrë një plagë të lehtë në kokë, por që nuk ka qënë ky shkaku i humbjes së jetës, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë për këtë ngjarje.
Ekspertët mjeko- ligjorë konfirmojnë se shkaku i humbjes së jetës ishte gjendja e tij e tejalkolizuar, çka ka bërë që ai të mos mundet të vazhdojë rrugën për në banesë dhe për pasojë ka ngrirë nga të ftohtit, pasi ka qenë në shi për rreth 3 orë. / Entela Bani