Gjirokastër, vidhen kasetofonët në 7 makina
Gjirokastër: Rreth orës 04.30 minuta të mëngjesit të sotëm, në lagjen “11 Janari” dhe tek “Ish Poliklinika” e qytetit Gjirokastër janë vjedhur me thyerje 7 automjete, duke u marrë kasetofonët dhe sende të tjera.
Specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë bërë të mundur që brenda disa orësh të identifikojnë autorët e mundshëm të këtyre vjedhjeve, si dhe të bëjë arrestimin në flagrancë të njërit prej autorëve të dyshuar. Autori kryesor dyshohet të jetë Klodian Leonard Çobo, 20 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër. Dy prej automjeteve të vjedhur ishin në pronësi të Bashkisë Gjirokastër dhe 5 në pronësi të shtetasve të ndryshëm, banorë të qytetit Gjirokastër.
Policia ka sekuestruar 4 kasetofona në cilësinë e provës materiale dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të kësaj ngjarjeje dhe gjetjen e sendeve të tjera.