Komisioni, ja raporti për dekretet e Topit
TIRANË- Vetëm pak minuta para fillimit të seancës së mbrëmshme parlamentare deputetët janë njohur me raportin përfundimtar të komisionit të Ligjeve lidhur me dekretet e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Edhe pse raporti nuk u bë objekt i diskutimit në seancën parlamentare, përmbajtja e saj tregoi qartë qëndrimin kundër, që kryesisht deputetët e PD e PR-se do të mbanin ndaj dekreteve te Presidentit të Republikës gjatë votimit me kuti të fshehtë një për një të dekreteve.
Mazhoranca
Në raportin e përgatitur, thuhet se shumica e anëtarëve të komisionit të Ligjeve i propozuan seancës plenare mosmiratimin e dekreteve që nuk plotësonin kërkesat kushtetuese, procedurat e përcaktuara në ligjin organik dhe vendimin e gjykatës kushtetuese. Përmes këtij paragrafi, PD me pak fjale përmblodhi votimin kundër të pesë kandidaturave, të firmosura nga kreu i shtetit. Në argumentimin e anëtarëve të mazhorancës në komisionin e ligjeve, thuhet se nga shqyrtimi i procedurave të ndjekura nga Presidenti i Republikës për emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë nuk është marrë me parë pëlqimi i Kuvendit. Në këto kushte, sipas anëtarëve të PD-së e PR-së, (pasi PDK e PBDNJ votoi kundër), Presidenti i Republikës nuk respektoi precedentin e krijuar sa i përket procedurave të konsultimit paraprak, procedura të cilat janë ndjekur më parë dhe kanë krijuar një praktike të mirë kushtetuese. Po sipas anëtarëve të dy partive në fjalë, citohet se nuk është mbajtur parasysh edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ti dhënë mundësi Kuvendit që të ushtrojë kompetencën e tij bashkëpunuese dhe kooperuese me Presidentin e Republikës. Në raportin e përgatitur, shumica e anëtarëve theksojnë se transparenca e procedurave të inicimit të kandidaturave nuk është kryer dhe se grupet politike të përfaqësuara në komision deklaruan se nuk kanë zhvilluar proçes konsultimi paraprak me Presidentin, preçedent qe ka ekzistuar më parë. Po ashtu, një prej anëtarëve (Zamir Poda) ka qenë më parë anëtar i Gjykatës së Lartë, ç’ka sipas shumicës në komisionështë në kundërshtim me nenin 136/2 të Kushtetutës, që nuk pranon riemërimin. Deputetët e mazhorancës propozojnë gjithashtu që në rregulloren e Kuvendit duhen përcaktuar procedurat e nevojshme për zbatimin e Kushtetutës, ligjit organik dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Opozita
Në anën tjetër edhe opozita ka paraqitur në raportin e përbashkët qëndrimin e saj kundrejt dekreteve të Presidentit të Republikës, e cila krejt ndryshe nga argumentet e shumicës kanë paraqitur një tjetër panoramë ligjore ndaj dekreteve. Pakica në komision u shpreh pro dekreteve të Presidentit duke argumentuar se, dekretet janë në përputhje me Kushtetutën; për herë të parë vijnë kandidatura nga gjyqësori; plotësohen kriteret që kërkon Kushtetuta dhe ligji organik për të qenë anëtar i Gjykatës së Lartë;vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk përbën pengesë për të shqyrtuar meritën e kandidatëve të dekretuar me votim në seance plenare. Megjithatë edhe opozita jep nje sugjerim në qëndrimin e saj se transparenca e inicimit të propozimit dhe të miratimit ose të pëlqimit, duhet të rishikohet. “Kjo është një çështje që ka vend për legjislatorin shqiptar për ta parë seriozisht”, thuhet në qëndrimin e opozitës.