E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu pa imunitet, Rama: Iu hap rruga hetimit

Kryeprokurorja Ina Rama eshte shprehur sot se: "heqja e imuniteti te Mediut i ka hapur rruge hetimeve te metejshme te ngjarjes se 15 marsit ne Gerdec". E pytur nga gazetaret lidhur me shkarkimin e Shefit te Shtabit te Pergjithshem, Luan Hoxha, ajo nuk ka komentuar asgje. "Do te presim hetimet, tani per tani nuk mund te themi asgje" - eshte shprehur Rama, e cila ka qene prezente sot ne mbledhjen e Keshillit te Prokurorise se Pergjithshme ku pritet te emerohen 3 prokurore te rinj.

Kuvendi la mbreme pa imunitet deputetin Fatmir Mediu

TIRANË- Nga mbrëmë, Ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është pa imunitet. Pas gati dy muajsh nga paraqitja e dosjes së organit të akuzës, Kuvendi votoi mbrëmë me kuti të fshehtë pro kërkesës së prokurorisë për dhënien e autorizimit për ndjekje penale ndaj deputetit Fatmir Mediu. 101 deputetë i kanë thënë pro heqjes së imunitetit, 23 deputetë të tjerë kanë qenë kundër, dhe 2 kanë abstenuar. Sekretariati i votimit i përbërë nga Aldo Bumci, Arjan Madhi dhe Besnik Dervishi ka evidentuar edhe 2 flete votimi të pavlefshme. Para zhvillimit të votimit, gjatë fjalës së mbajtur, ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu nuk ka pranuar asnjë prej akuzave të Prokurorisë drejtuar tij, duke argumentuar se organi i akuzës nuk përcaktoi para së gjithash aktet ligjore ku ishte bazuar për të vërtetuar akuzën e shpërdorimit të detyrës nga ana e tij. Megjithatë, përpos qëndrimit të përsëritur të mbajtur nga Mediu, kryetari i republikanëve ka pohuar se demontimi i armëve në Gërdec ka qenë i gabuar. Ai ka shtuar se nuk ka pasur marrëdhënie me Delijorgjin apo kompaninë amerikane, duke mbështetur konkluzionet e shumicës në Këshillin e Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit sa i përket përgjegjësisë që, sipas tij, kanë pasur forcat ushtarake në këtë proçes.

Por përpos qëndrimit të mbajtur nga Mediu, është organi i akuzës tashmë që do të ndjeke procedurat ligjore për të vërtetuar edhe materialet voluminoze që ajo dërgoi pranë Kuvendit lidhur me përgjegjësitë e ish-Ministrit të Mbrojtjes, për tragjedinë e Gërdecit. Sipas materialeve të dërguara me hollësi nga organi i akuzës pranë Kuvendit thuhet se ish-ministri Mediu ka iniciuar projektligjin për demontimin pas takimit me përfaqësuesin e "Southern Ammunition, Patrick Henry III" , që pavarësisht se u mohua edhe mbrëmë nga Mediu, Prokuroria e ka të dokumentuar me dëshmi dhe deklarata të ndryshme dhe çdo akt i ndërmarrë pastaj nga ish-ministri për organin e akuzës ka pasur si qëllim plotësimin e interesave të dy kompanive SAC dhe "Alba Demil".

Ndërkohë, sipas materialeve shtesë, shkeljet që ish-ministri Mediu ka kryer nisin që nga projektligji i dërguar në qeveri, ku fillimisht u kthye mbrapsht dhe më pas u vendos draft oferta për demontimin e municioneve të kalibrit të vogël, duke paracaktuar kështu kompaninë "Alba Demil". Sipas akuzës, shkeljet vijojnë edhe me urdhrat e kundraligjshëm për ngritjen dhe caktimin e ish-repartit të tankeve në Gërdec si vend i demontimit të municioneve, urdhërimin e Forcave të Armatosura të transportonin municionin drejt Gërdecit, heqjen e kompetencave të Shtabit të Përgjithshëm duke ia kaluar Komandës së Forcave të Bashkuara. Sipas materialeve dërguar në Kuvend, me ngjarjen që ndodhi në Gërdec, janë cenuar rëndë një serë interesash të tjera të shtetit dhe të shoqërisë, siç janë: cenimi i rendit dhe i sigurisë në rajonin që përfshiu ngjarja, si dhe dëmtimin e imazhit të shtetit, në raport me komunitetin, shoqërinë dhe më gjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›