E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogaj: Berisha duhet të mendohet ende për pastrimin e figurës

Deputeti i PD-së, Preç Zogaj u përgjigjet pyetjeve të gazetës “Shekulli” për ligjin e pastrimit të figurave të zyrtarëve të lartë

Ngritja me ligj e Institutit të Kujtesës është një akt pozitiv i domosdoshëm, kurse riciklimi i ligjit të vitit 1995 risjell disa pikëpyetje

Z.Zogaj, Partia Socialiste i konsideroi pak ditë më parë si antikushtetuese të tre projektet e depozituara në Kuvend për pastrimin e figurës së funksionarëve të lartë, përfshi këtu edhe draftin e tyre. Sipas jush, pse pikërisht kjo lëvizje?

Ai projektligj ishte një shaka e rëndë, e marrë. E kam argumentuar në Kuvend pse. Nuk mund t’i propozohet shoqërisë një projektligj lustrimi që bazohet në shënimet, shkarravinat apo trashëgiminë e ish-Sigurimit të Shtetit, të cilin në një anë e akuzojmë si veglën më të urryer të Partisë së Punës, ndërsa nga ana tjetër e marrim si bazë të vetme të dhënash për gjykimin e njerëzve. Kjo është thellësisht kontradiktore. Nuk mund të gjykohen njerëzit për çfarë u ka ndodhur në diktaturë nga diktatura, por, në rastin me të arsyeshëm mund të gjykohen se çfarë kanë bërë, gjithnjë duke mbajtur parasysh kontekstin e kohës. Më tej, nuk mund të jetë i pajtueshëm me parimet e demokracisë një projektligj që tenton të krijojë për qëllime diskriminimi, kategori “ të pastrish” dhe “ të papastrish” duke iu referuar një diktaturë homogjene siç ishte diktatura komuniste. Një projektligj i tillë e ka në gjen arbitraritetin. Nuk ka sens një projektligj që ka në thelb dekonspirimin. Nuk është politikisht korrekte të paraqitet përgjatë legjislaturës një projekt që nuk është lajmëruar në fushatën elektorale. Për të gjitha këto, socialistët u treguan të zgjuar që e tërhoqën projektin e tyre.

Ndërkohë PD ka ngulmuar në gjetjen e një konsensusi të ri me PS-në për një projekt të përbashkët. E mendoni të mundshëm këtë konsensus?

Nëse do të punohej me qetësi për ngritjen me ligj të Institutit të Kujtesës, që propozoi Berisha, duke marrë (jo me telefon të prishur) përvojën me të mirë të Europës dhe duke reflektuar specifikat e diktaturës dhe shoqërisë shqiptare, besoj se do të shkohej drejt një ligji konsensual. Ekzistojnë të gjitha premisat që partitë politike, pavarësisht diversiteteve dhe raporteve të ndryshme me diktaturën komuniste, të gjejnë gjuhën për një ligj të tillë, që jo vetëm do të mbante gjallë memorien për krimet dhe natyrën çnjerëzore të një regjimi që nuk duhet të kthehet kurrë, por do të merrej edhe me zbardhjen e krimeve dhe çështjeve të ndryshme. Kurse për projektin që po diskutohet, shenjat janë se socialistët, ashtu si në vitin 1995, nuk do të bashkohen me PD. E filluan të parët këtë histori, dy vjet më parë. Kur erdhi momenti për të bërë llogaritë, u tërhoqën.

PD ka bërë një ligj për spiunët në vitin 1995, ndërsa PS me ardhjen në pushtet bëri sërish një verifikim me komisionin “Bezhani”. Cila është arsyeja që diskutohet një ligj i tillë?

Kemi pasur një ligj, është e vërtetë. Të gjithë njerëzit e interesuar seriozisht për këtë temë, me përjashtim të atyre që duan të bëjnë gallatë apo të nxjerrin ndonjë inat të vogël, pyesin: Cili është problemi? Nuk është zbatuar mirë ai ligj? Ka pasur njerëz që i kanë bërë bisht? Sa janë ata? Nga vjen ky informacion, a mund të zyrtarizohet? Sqarimi i këtyre çështjeve, normalisht, do të ishte një parakusht për të futur sërish në prizë ligjin e vjetër apo për të bërë një ligj të ri. Njëherësh, është i domosdoshëm një raport i saktë për platformën famëkeqe të Partisë së Punës për ish-Sigurimin e Shtetit, si dhe për dukurinë e asgjësimit të dosjeve. Flitet shumë, por sa janë asgjësuar? Pse janë asgjësuar? Janë asgjësuar me kriteret e pavlefshmërisë, apo individë të ndryshëm që kanë pasur akses në arshivën e ish-Sigurimit kanë dashur të zhdukin provat, të “ zbardhin” miq, klientë apo lakej. Të gjitha këto përbëjnë bazamentin e një ligji të drejtë, i cili apelon për vëmendje dhe sens të veçantë drejtësie nga ana e ligjvënësve, edhe për faktin se subjektet e këtij ligji, në përgjithësi, as mund të pyeten, as mund të shprehen siç ndodh, fjala vjen, me grupet e tjera të interesit.

Grupi kuvendor i PD-së ka zhvilluar një seancë të posaçme për këtë projektligj. A janë diskutuar aty probleme të tilla?

Sigurisht, në grup është diskutuar gjerë e gjatë dhe janë shfaqur mendime të ndryshme.

Cili ka qenë reagimi i kryeministrit Berisha?

Berisha ka vlerësuar seriozitetin e problemeve të ngritura dhe ka udhëzuar të bëhen përpjekje për të përfshirë edhe socialistët, gjë që siç e thashë, me sa duket nuk po arrihet.

Ju e keni inkurajuar kryeministrin në këtë nismë?

E kam mbështetur idenë e Berishës për Institutin e Kujtesës, si një përgjigje e drejtë, që vjen natyrshëm në kohë për tërë problematikën e raportit me të shkuarën. Në lidhje me ligjin e pastërtisë, unë kam pasur mendimin që të nisemi nga krimet konkrete të diktaturës për të shkuar të autorët. Sepse edhe kuptimi i këtyre ligjeve të lustacionit ka qenë dënimi i krimeve të komunizmit. Në këtë mënyrë evitohej dekonspirimi i panevojshëm, i cili është një akt që nuk e di se si mund të merret përsipër nga shtetarët. Tani kanë kaluar vite dhe çdo ligj ka kohën e vet, çdo kohë kërkon ligjin e vet. Në këtë kuptim, unë e di se zhurmat dhe akuzat e disa deputetëve socialistë, apo edhe të ndonjë aleati sikur në PD ka shumë “ spiunë”, nuk mund ta linin indiferent kryeministrin Berisha. Ai nuk mund të mos reagojë dhe vetë projekti ynë u paraqit si një reagim i kësaj natyre. Të gjitha këto unë i kuptoj, por çfarë ndodh? Ata që llomotisin, ata që hedhin gurin e fshehin dorën, ata që provokojnë, të lenë hijen sapo vjen momenti për të marrë përgjegjësinë e aktit. Në të vërtetë, ai që mbetet është akti, vendimi, ligji. Pra, përgjegjësia e aktit do t’i mbetet sërish Berishës dhe në këtë moment atij i bie barra të peshojë dhe vlerësojë disa realitete, disa të vërteta, që janë shumë me të qenësishme në historinë e tranzicionit tonë sesa llafet e politikanëve të rastit. Një e vërtetë e tillë, një realitet i tillë, është ligji i vitit 1995. Berisha e ka bërë ligjin e tij për lustrimin, e ka bërë para shumë vendeve të tjera ish-komuniste. Njerëzit që kapte ai ligj, edhe kur nuk bënin zë, e dinin se nuk kishin të drejtë të zgjidheshin apo të emëroheshin në funksione të caktuara. Përtej kësaj të vërtete, kemi një tjetër edhe më të qenësishme, që sigurisht, nuk mund të kapet nga pseudo-politikanët dritëshkurtër, por që nuk i shpëton vizionit të Berishës, të cilit i ra shorti të jetë përfaqësuesi më eminent i tranzicionit demokratik shqiptar. Në dhjetor të vitit 1990 populli shqiptar, më i shtypuri në Europë, u nis të ndahej masivisht nga diktatura staliniste. Kjo ndarje u finalizua me 22 Mars 1992. Rreth shtatëdhjetë për qind e shqiptarëve votuan PD-në dhe forcat e reja demokratike. Partia Komuniste, si përfaqësuese me program e regjimit të vjetër, nuk mori as dy për qind. Këtë bëri populli. Njerëzit hoqën zgjedhën. Po të ishte votuar me kategoritë e pastërtisë dhe papastërtisë që shpik e rishpik politika, 22 Marsi nuk do të prodhonte atë që prodhoi. Mund të vazhdoja me të vërteta të tilla. Në qoftë se unë nuk ia them këto Kryeministrit të vendit, që fatmirësisht është kryeministri i Partisë ku bëj pjesë, me të cilin kemi një lidhje bashkudhëtarësh të orëve të para të lirisë, unë do të mohoja veten dhe sigurisht nuk do ta ndihmoja atë. Ai ka tagrin për t’i konsultuar me arsyet e tij dhe për të vendosur.

Nëse ky projektligj miratohet, a do të mësojnë shqiptarët sot pas tetëmbëdhjetë vjetësh të vërtetën e njerëzve me dosje, apo pas miratimit të këtij ligji do të kemi një “gjueti” në mënyrë të veçantë në radhët e politikës?

Me lejoni të them se edhe në mënyrën si ju pyesni, pasqyrohet keqkuptimi që shoqëron këtë diskutim. Dua të them se paktet në këtë sferë lidhen për të mos u marrë vesh. Sekreti është thelbi i marrëveshjes, përndryshe, ç’kuptim do të kishte të quhej Shërbim Sekret. Kjo është universale, pavarësisht nga koha apo regjimi politik në fuqi në momentin e dhënë. Në rastin e diktaturës sonë, problemi ka specifikën se nuk ka pasur alternativë zgjedhjeje dhe vetë diktatura paraqitej si demokracia popullore më e kulluar në botë. Në çdo rrethanë, dekonspirimi i njëanshëm i rrjetit të bashkëpunëtorëve është një akt shumë i rëndë, të cilin, me sa di, nuk e bën kush, ndoshta as pushtuesit . Dekonspirimi në Shqipëri, për rrethanat që thamë, do të ishte shumë-shumë më i padrejtë, i rëndë. Projekti i PS-së kishte si thelb dekonspirimin, por ata u tërhoqën. Projekti i PD-së i referohet krimeve. Por ka këtë, që është aplikuar njëherë përgjatë pesë a gjashtë vjetëve. Atëherë çfarë garancie ka se i njëjti projekt do ta mbyllë këtë histori, kur nuk e paska mbyllur herën e parë?

Ata që llomotisin, ata që hedhin gurin e fshehin dorën, ata që provokojnë, të lenë hijen sapo vjen momenti për të marrë përgjegjësinë e aktit. Në të vërtetë, ai që mbetet është akti, vendimi, ligji. Pra, përgjegjësia e aktit do t’i mbetet sërish Berishës dhe në këtë moment atij i bie barra të peshojë dhe vlerësojë disa realitete, disa të vërteta, që janë shumë me të qenësishme në historinë e tranzicionit tonë sesa llafet e politikanëve të rastit.

Njëherësh, është i domosdoshëm një raport i saktë për platformën famëkeqe të Partisë së Punës për ish-Sigurimin e Shtetit, si dhe për dukurinë e asgjësimit të dosjeve. Flitet shumë, por sa janë asgjësuar? Pse janë asgjësuar? Janë asgjësuar me kriteret e pavlefshmërisë, apo individë të ndryshëm që kanë pasur akses në arshivën e ish-Sigurimit kanë dashur të zhdukin provat, të “ zbardhin” miq, klientë apo lakej.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›