Gjirokastër, zjarri në nënstacion lë pa drita qytetin

Nënstacioni i vjetër elektrik në Gjirokastër është përfshirë nga flakët gjatë mëngjesit të sotëm duke lënë pa energji elektrike pjesën më të madhe të qytetit. Zjarri ka përfshirë 8 kabina të nënstacionit i cili mbulon 80% të qytetit me energji elektrike si dhe të gjitha fshatrat dhe komunat e rrethit të Gjirokastrës.
Temperaturat e ulta të ditëve të fundit si dhe mbingarkesat në rrjetin e energjisë elektrike mendohet të jetë edhe shkaku i këtij zjarri i cili tashme ka nxjerrë jashtë funksionit këtë nënstacion. Pavarësisht ndërhyrjes në kohë të repartit zjarrëfikës, flakët kanë shkrumbëruar pjesën më të madhe të kabinave elektrike.
Ky sistem është ndërtuar që në kohën e luftës në Shqipëri dhe si pasojë e rrjetit të vjetër dhe të armotizuar ka sjellë jo rrallë probleme me furnizimin me energji elektrike në qytet. Gjatë viteve të kaluara ky nënstacion ka shënuar mjaft probleme në rrjet, ndërkohë që është përmbytur disa herë edhe nga vërshimet e lumit Drino.