E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastra mbytet nga ujërat e zeza

KANALIZIMET/ Qyteti i gurtë po shfaq probleme me shpërthimin e ujërave të zeza. Tregtarët ankohen. Asnjë zgjidhje


Banorët e zonës turistike rrëfejnë se kanë 10 ditë në një gjendje të tillë, ndërsa temperaturat vijojnë ngritjen

GJIROKASTËR- Në kulmin e sezonit turistik, ujërat e zeza "mësyjnë" Qafën e Pazarit, zonën që frekuentohet çdo ditë prej qindra vizitorëve. Prej disa ditësh gjendja është e njëjtë. Tregtarët ankohen se po u largohet klientela për shkak të erës së rëndë dhe frikës së përhapjes së infeksioneve të ndryshme.


Ujërat e zeza


Vijnë për të parë Gjirokastrën në këto ditë gushti, por u duhet të ecin mbi ujërat e zeza. Vërshimi i tyre prej një pusete të hapur mbi rrugët me kalldrëm, në "zemër" të Qendrës Historike po kthehet tashmë në një bezdi shumë të madhe jo vetëm për turistët vendas e të huaj, por për të gjithë qytetarët e vçanërisht për tregtarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë zonë.


Problemet me të cilat përballet prej shumë vitesh i gjithë rrjeti i kanalizimeve të ujërave të zeza në qytetin e Gjirokastrës pasqyrohen tashmë edhe në sytë e të huajve. Banorët e kësaj zone pohojnë se gjendja është e tillë prej 10 ditësh e ndërsa temperaturat rriten çdo ditë, përvç pamjes dhe aromës së pakëndshme ata i druhen ndonjë epidemie që mund të shpërthejë.


Nga ana tjetër, tregtarët ankohen se nga kjo gjendje u është larguar edhe klientela e pavarësisht se e kanë bërë të njohur këtë problematikë asgjë nuk ka ndryshuar. "Ky problem ka 10-15 ditë kështu. Klientët sa hyjnë në lokal, largohen menjëherë, se këtu është e pamundur të qëndrosh për shkak të erës shumë të keqe.

Jemi ankuar kudo, po deri tani asnjë masë nuk është marrë. Qafa e Pazarit është zonë e vdekur dhe vetëm në këtë sezon ne që kemi ngritur tregtinë këtu, punojmë nga pak, po si mund të punojmë në këtë mjedis?", shprehet njëri prej tregtarëve të zonës muzeale.


Shpërthimet e ujërave të zeza në qytet nuk është një fenomen i ri dhe as i panjohur, por situata rëndohet duke qenë se falë vlerave që ka dhe promovimeve të shumta, Gjirokastra vit pas viti po kthehet në një destinacion mjaft të pëlqyer turistik.


Shpërthimet


Dhjetëra shqetësime ngrihen çdo ditë për shkak të ujërave të zeza që dalin në sipërfaqe, duke krijuara probleme të shumta. Në të gjitha lagjet, duke filluar nga ato të sipërme e në zonat e tjera ka shpërthime të tilla.


Faktit që një pjesë e mirë e lagjeve të qytetit të Gjirokastrës nuk kanë rrjet kanalizimesh për ujërat e zeza u bashkangjitet edhe mungesa e fondeve për të ndërhyrë në ato zona ku ekziston dhe është tejet i degraduar.


Kështu, lagjet Dunavat, Manalat, Zinxhira dhe në lagjen e re që po ngrihet pranë zonës së Gërhotit nuk ka pasur asnjëherë rrjet kanalizimesh dhe funksionohet vetëm me gropa septike. Por edhe ato zona që e kanë këtë rrjet prej dhjetëra vitesh nuk ka pasur ndërhyrje apo investime.


Ndërkaq, drejtues të ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve në Gjirokastër prej kohësh kanë deklaruar se megjithëse kanë gati projektet shprehen të pafuqishëm për përmirësimin e situatës, për shkak të mungesës së fondeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›