Grabitet banka në qendër Tiranës

Tre persona mbërritën me motoçikletë përpara filialit të bankës dhe morën nga arka e bankës 3.5 milionë lekë të vjetra
Policia dyshon se autorët janë pjesë e një grupi kriminal i specializuar për krime ndaj bankave dhe bizneseve
TIRANE- Tre persona të armatosur të hipur në një motor, grabitën me armë dje në orët e para të mëngjesit filialin e një banke të nivelit të dytë, në rrugën e Kavajës, duke marrë që aty një sasi prej 3.5 milionë lekësh të vjetra sipas policisë, ndërsa më pas u larguan me shpejtësi.
Policia nisi hetimet mbi ngjarjen, ndërsa në komisariatin e policisë dhe në drejtorinë e Policisë së kryeqytetit u shoqëruan së paku disa persona të dyshuar të cilët pas marrjes së tyre në pyetje u lanë të lirë. Ngjarja ndodhi rreth orës 9:15, minuta, kur tre personat u afruan me një motor pranë bankës së nivelit të dytë.
Një prej tyre qëndroi në motor, ndërsa dy të tjerët me maska dhe me armë hynë në bankë duke neutralizuar fillimisht rojen dhe më pas duke kërcënuar më pas punonjësit e bankës.
Nën kërcënimin e armëve, punonjësit e bankës u detyruan t'iu dorëzojnë autorëve një shumë të majme parash, që sipas policisë kap shifrën e rreth 350 mijë lekëve të reja.
Sapo autorët morën paratë, dolën jashtë në mënyrë të rrufeshme dhe të tre së bashku të hipur mbi të njëjtin motor me të cilin kishin mbërritur u larguan me shpejtësi. Menjëherë pas lajmërimit për ngjarjen, efektivët e Policisë së Shtetit, mbërritën në vendin e ngjarjes për të kryer hetimin. Fillimisht policia ka marrë deklarimet e punonjësve të bankës, të cilët rrëfyen ç'kishte ndodhur dhe skemën e ngjarjes.
Ndërsa oficerët e hetimit të grabitjeve me armë, merrnin deklarimet e punonjësve dhe dëshmitarëve të ndryshëm, ekspertët kriminalistë ishin duke kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes për të gjetur sa më shumë elementë që mund të shërbenin si prova për hetimin dhe zbulimin e ngjarjes.
Ekspertët kanë kryer këqyrje për zbulimin e gjurmëve të mundshme të gishtërinjve në banakun e sportelit ku ndodheshin paratë, si dhe derën kryesore të bankës. Këta të fundit kanë gjetur gjurmë dhe elementë që sipas tyre mund të vlenin për të kryer një krahasim të mundshëm të disa ngjarjeve të të njëjtës natyrë, të cilat pritet të dërgohen për ekzaminim dhe krahasim në Institutin e Policisë Shkencore.
Ngjarja e djeshme është e 11-ta e kësaj natyre e regjistruar nga policia gjatë këtij viti, ose së paku e 11-a publikuar në media, ndërsa shifra mund të jetë edhe më e lartë.
28 janar 2010
Dy persona me kaska motorësh hynë në kioskën e arkëtimit të faturave të energjisë në rrugën "Arkitekt Kasemi", pranë Bërrylit dhe i morën arkëtares një shumë prej 500 mijë lekësh të vjetra nga arka, të cilat ishin pjesë e xhiros ditore të mbledhura në arkë
12 shkurt 2010
Një argjendari në rrugën e Durrësit, u denoncua në polici nga pronari i saj se u bastis nga persona të panjohur të cilët sipas të dëmtuarit morën një sasi parash.
12 shkurt 2010
Një pikë bastesh dhe lojërash fati në afërsi të Kombinatit, u sulmua në një ditë me argjendarinë. Autorët mundën të merrnin një sasi të konsiderueshme parash, rreth 500 mijë lekë duke u larguar.
17 shkurt 2010
Një filial i një banke të nivelit të dytë u sulmua me armë, ndërsa autorët morën që andej gjithë shumën që ndodhej në kasafortë, afërsisht 70 milionë lekë të vjetra dhe më pas u larguan me shpejtësi. Pas ngjarjes, policia arrestoi rojen e objektit me akuzën e shpërdorimit të detyrës pasi nuk ndodhej në vendin e shërbimit. 1 milion lekë dha policia për informatorët që ofronin të dhëna për autorët.
11 mars 2010
Një kazino dhe sallë lojërash fati u grabit në rrugën "Myslym Shyri", duke marrë nga arka 3.5 milionë lekë të vjetra Përpara se të largohej, autori i ngjarjes kërcënoi rojen e sigurisë, disa javë më parë në të njëjtën rrugë ndodhi një supergrabitje
18 mars 2010
Romeo Leka, një emigrant i deportuar nga SHBA, për shkak të problemeve të tij penale dhe psikike, hyri në një bankë brenda një hoteli luksoz në qendër të kryeqytetit duke marrë në të një shumë prej 3 milionë lekësh të reja. Pas grabitjes, spektakli vazhdoi pasi autori rrëmbeu një vajzë dhe e mbajti peng me qëllim për t'i shpëtuar policisë.
7 Maj 2010
Së paku dy persona të panjohur hynë në ambientet e një banke që ndodhet në një zonë tregtare në rrugën dytësore në hyrje të autostradës Tiranë Durrës dhe rrëmbyen që andej 7 milionë lekë të vjetra, ndërsa më pas u larguan me shpejtësi me një automjet që priste jashtë rethimit.
13 maj 2010
Dy persona me armë hynë në një kazino në rrugën "Qemal Stafa", në kryeqytet, ndërsa autorët morën paratë e xhiros së natës. Në largim ata futën në banjo personelin me qëllim që ata të mos lajmëronin policinë
23 maj 2010
Dy persona të armatosur dhe të maskuar hynë në një filial poste në qendër të Tiranës dhe grabitën rreth tre milionë lekë të vjetra. Ngjarja rreth orës 17.00, në bulevardin "Zogu i I-rë", ku dy personat me një motor u ndalën tek filiali i postës dhe nën kërcënimin e armës, morë lekët që gjendeshin në arkë.
Qershor 2010
TIRANË- Dy grabitje ndodhën në javën e fundit të korrikut, kur persona të armatosur sulmuan një automjet në afërsi të fshatit Krrabë në segmentin rrugor Elbasan Tiranë. Autorët sulmuan drejtorin e një kompanie të rëndësishme ekonomike në vend. Një grabitje tjetër ndodhi në Vorë, kur persona të paidentifikuar dhe të maskuar sulmuan një karburant në autostradë.
2 Korrik 2010
Filiali i një banke në autostradë u grabit në mesditë, kur persona të panjohur hynë në të dhe morën rreth 3.5 milionë lekë të vjetra. Policia nisi hetimet për zbardhjen e ngjarjes duke marrë dëshmi dhe të dhëna të tjera të nevojshme për hetimiin.
7korrik 2010
TIRANË- Një punonjëse e arkës së OSSH-së mbeti e plagosur kur një person tentoi të hynte në ambientet e arkës për të marrë paratë e grumbulluara nga pagesat e energjisë elektrike. Ngjarja ndodhi rreth orës, 15.00, në bulevardin "Bajram Curri". Policia tha se dyshohej se vç grabitjes, po hetohej edhe një konflikt personal i arkëtares me të dyshuarin.
Gusht 2010
Persona të panjohur në autostradë sulmuan një pikë karburanti, duke marrë që aty xhiron e natës të realizuar nga punonjësit e turnit të tretë. Roja nuk mundi të neutralizonte ngjarjen, ndërsa policia nisi hetimet për të zbuluar autorët e saj.
Dr.Sofokli Duka ish- drejtor i SHKB-së
Policia punon pa strategji kundër krimit
Sofokli Duka, ish- Drejtor i Shërbimit Informativ të Rendit (aktuaklisht SHKB) dhe ish- oficer me karrierë në Polici, jep në një argument të tijin disa nga shkaqet që sipas tij po çojn në rritjen e shifrave të krimit. Më poshtë po rendimisim prononcimin e tij në ligjëratë të drejtë.
"Nga analiza vjetore e gjashtëmujorit të këtij viti u vu re qartë rritja e shifrave të kriminalitetit, kryesisht ato në drejtim të krimit kundër pronës dhe kundër personit. Përvç kësaj rënieje, siç mund ta vini re, kishte edhe një rënie të zbulueshmërisë së këtij fenomeni.
Aktualisht në Policinë e Shtetit, pavarësisht se ka një sektor të parandalimit të krimit, mungon realisht parandalimi i krimit si koncept dhe strategji. Një pjesë e mirë e strukturave të Policisë nuk janë eficiente në drejtimet për të cilat ato janë krijuar duke sjellë edhe një lloj mungese të rakordimit mes tyre.
Gjithashtu sa i përket grabitjeve apo ngjarjeve kriminale të kësaj natyre, mund të them se se ka një mungesë të koordinimit të Policisë së Shtetit me strukturat e Shoqërive të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike, të cilat kanë detyrë ruajtjen e një pjese të mirë të objekteve dhe institucioneve financiare të nivelit të dytë.
Po vç kësaj, mund të them se duket se ka një hendek bashkëpunimi mes Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit lidhur me ngjarje të ndryshme duke sjellë edhe mungesë të koordinimit mes tyre.
Më tej, mendoj se ka një lloj mungese profesionalizmi nga efektivët e policisë në lidhje me hetimin e ngjarjeve të caktuara. Së fundmi sa i përket Policisë, dua të them se ka një mungesë të dukshme në lidhje me analizimin e ngjarjeve të ndryshme kriminale që mund të ndodhin, duke kërkuar shkaqet me qëllim që të ndërtohen edhe strategjitë.
Më tej lidhur me shkaqet e rasteve konkrete, mendoj se janë niveli i dobët ekonomik, shkaqet sociale dhe elementë të tjerë, që shtyjnë personat drejt veprimeve të tilla keqbërëse ndaj pronës"w