E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, banorët e Dukatit sfidojnë policinë

PROTESTA/ Pas shoqërimit të 6 protestuesve, të tjerë kanë ribllokuar rrugën për dy orë. Vargu i mjeteve, deri në Llogora


VLORË - Një protestë e nisur mëngjesin e së martës rreth orës 09:00 që e çoi në rreth 3 kilometra vargun e automjeteve që i ishin drejtuar Sarandës apo Vlorës, u përmbyll mbrëmjen e kaluar pas një bllokimi të dytë, ku protestues, kryesisht të rinj, kanë hedhur edhe vaj në rrugë për të mos lejuar kalimin e mjeteve.


Mësohet se shkak për riprotestën ishte ndalimi i gjashtë prej personave që morën pjesë në protestën e paradites të banorëve të Dukatit, Tragjasit dhe Orikumit, dhe shoqërimi i tyre për në komisariat. Një gjë e tillë ka bërë që gjatë pasdites, protestues kryesisht të rinj të bllokojnë rrugën për së dyti dhe të kërkojnë lirimin e të ndaluarve.


Përgjatë pothuajse dy orëve aksi ka qëndruar i bllokuar, teksa mësohet se protestuesit që kanë qenë të mbuluar me bluza për mos t'u njohur kanë hedhur edhe vaj në rrugë për të qenë të bindur në moskalimin e mjeteve. Mësohe se radha e automjeteve ka mbërritur deri në Qafën e Llogorasë.


Vetëm pasi nga policia është bërë lirimi i të shoqëruarve, ata janë larguar nga rruga për të bërë të mundur rikthimin e qarkullimit. Për shkak të vajrave të hedhura në rrugë, pas lirimit ka ndërhyrë ndërmarrja e rrugëve për pastrimin e saj.


Pas kësaj ka vijuar qarkullimi normal, ndërsa protestuesit janë kthyer në banesat e tyre, ndërkohë që nga ana e policisë nuk është marrë ndonjë masë ndaj tyre.


Por edhe gjatë paradites për rreth një orë, banorë të Dukatit zunë rrugën duke mos lejuar kalimin e automjeteve në aksin Vlorë-Sarandë.


Shqetësimi për mosmarrjen e asnjë certifikate pronësie, kur tokat e tyre janë të lira, ka ribashkuar banorët në protestë. "Përcaktimi i kufijve historikë dhe gjeografikë të Dukatit dhe administrimi i tyre" ka qenë një kërkesë e paraqitur nga banorët.


Sipas tyre, kjo nënkupton të drejta të plota mbi tokat e të parëve, pasi sipas protestuesve është një vendim i Këshillit të Ministrave që synon të privatizojë tokën që kanë nën administrim banorët e Dukatit. "Kthimi i pronave banorëve të fshatit Dukat nëpërmjet dhënies së certifikatës së pronësisë nga ZRPP", ishte një kërkesë e dytë.


Protestuesit thanë se një dokument i tillë nuk disponohet edhe pse tokat janë të tyre të trashëguara brez pas brezi. Banorët thanë se "rikthimi i pronës te i zoti duhet të kryhet sipas ligjeve në fuqi dhe sipas konceptit pronë private".


Ndërkaq një tjetër kërkesë ishte "heqja e menjëhershme e postbllokut të bazës Ushtarake dhe lejimi i turistëve për në parkun e Orikut, si dhe lejimi i banorëve të Dukatit për në Karaburun".


Sipas banorëve, kjo tashmë nuk ndodh, pasi baza ushtarake qëndron e mbyllur dhe në ambientet përreth saj nuk lejohet njeri, pa pasur më parë një leje nga autoritetet ushtarake.


"Marrja e një vendimi, në formë referendumi ose në formë demokratike për çdo vendim të shtetit shqiptar, që mund të cenojë pasurinë, lirinë, shëndetin, ose jetën e banorëve të Dukatit, ishte një tjetër kërkesë e protestuesve.


Sipas tyre, katër kërkesat e bëra publike nga ta, do të jenë në qendër të zhvillimeve të mëvonshme. Ata kanë paralajmëruar se, nëse këto kërkesa nuk do të plotësohen, atëherë do të përshkallëzojnë protestat.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›