E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastra rrezikon të dalë nga UNESCO



Gjirokastra, një nga qytet-muzetë që prej vitit 1963 rrezikon përjashtimin nga UNESCO. Lajmi është bërë i ditur nga njëri prej arkeologëve të qytetit, Vladimir Qirjaqi, i cili i referohet dy raporteve më të fundit të Komisionit të Venecias pranë UNESCO-s. Raporti i cili i është dërguar dhe Ministrisë së Kulturës në rrugë zyrtare thekson se shumë monumente të kulturës po humbasin pamjen e tyre si shkak i restaurimeve jo në bazë të standardeve të UNESCO-s. Ndërsa ndërtimet pa leje në pesë vitet e fundit, po çojnë drejt zhdukjes banesat karakteristike të qytetit të gurtë. “Problemi i parë kryesor janë ndërtimet pa leje. Brenda 5 vitesh janë rreth 100 ndërtime pa leje në qendrën historike. Është dëmtuar kalaja, është dëmtuar pazari, janë dëmtuar 56 monumente të kategorisë së parë në qendrat historike. Por ka dhe një problematikë akoma dhe më të rëndësishme që lidhet me restaurimet që po bëhen në këto 5 vjet, të përfshira nga një banalitet politik. Duke dashur të marrin inxhinierët e tyre, firmat e tyre rreth Ministrisë së Kulturës, kemi restaurime jashtë kritereve të Venecias.” shpjegon arkeologu Vladimir Qirjaqi. Ekspertët e Venecias gjatë vëzhgimeve në terren kanë vërejtur se anomalia dhe kaosi mbizotëron në zonën muzeale. Sipas Qirjaqit, largimi i Gjirokastrës nga trashëgimia kulturore UNESCO mund të ndodhë pikërisht atëherë kur qyteti mbush plot 5 vjet nga hyrja në të. Janë dy raporte të fundit të Venecias të dërguara drejt Bashkisë së Gjirokastrës, Institutit të Monumenteve të Kulturës por dhe Ministrisë së Kulturës në rrugë zyrtare që kanë identifikuar problemet me të cilat ndeshet sot qyteti i gurtë. Ndërkohë para disa javësh në qytetin e ngurtë të Gjirokastrës intelektualë të njohur nga Shqipëria dhe Kosova kanë diskutuar në Gjirokastër për komunikimin kulturor. Debati synonte nxitjen e aktiviteteve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e artit dhe të kulturës. Në kuadrin e veprimtarisë “Takimet muzikore të dy botëve” që u mbajt në Gjirokastër nga 4 deri në 6 qershor, u zhvillua edhe konferenca “Kultura në komunikimet ndër shqiptare dhe prezantimi i saj në botë”, moderuar nga filologu i njohur kosovar, Shkëlzen Maliqi. Nga paneli i kësaj konference disa personalitetet të kulturës nga gjithë hapësira shqiptare si studiuesja e letërsisë Baviola Shatro, piktori kosovar Mehmet Beluli, muzikologu nga Kroacia Bashkim Shehu, politikani dhe publicisti Veton Surroi, aktori Viktor Zhusti regjisorja Ilda Mara, dramaturgu Jeton Neziraj, muzikanti Arben Llozi, muzikati ilir Bajri etj. Gjatë këtij debati, ata vlerësuan nga këndvështrime të ndryshme çështjet e komunikimeve të ndërsjella ndër shqiptare në sisteme të veçanta të kulturës shqiptare dhe të kontakteve të saj me vetveten dhe në tërësi me botën. “Për shkak se shqiptarët jetojnë në disa shtete dhe kanë edhe një diasporë të madhe dhe shumë të shpërndarë, kultura shqiptare është një “entitet” kompleks i cili është i varur nga komunikimet dhe mobiliteti. Andaj kemi parë të udhës që si pjesë e festivalit “Takimet muzikore të dy botëve”, që tradicionalisht mbahet në Gjirokastër, ta kthejmë në një pikënisje të një debati mbi komunikimet kulturore ndër shqiptare dhe prezantimin e kulturës shqiptare në botë”, shpjegoi në fillim të kësaj konference filologu i njohur kosovar Shkëlzen Maliqi. Ndërsa politikani dhe publicisti Veton Surroi, tha se “bisedat dhe debatet për kulturat duhet të jetë sa më serioze, sepse vetëm pse jemi të gjithë shqiptarë, nuk mjafton dhe nuk do të thotë se kemi komunikim kulturor mes nesh”. “Për shkak se në një anë të kufirit ishte censura komuniste dhe në anën tjetër të tij ishte censura e pushtetit serb, dy kulturat bazike shqiptare kanë humbur dhe kërkojnë çelësin e komunikimit”, tha ai gjatë fjalës së tij. Gjirokastra është qytet në Shqipërinë jugore dhe shtrihet në shpatin e Malit të Gjerë. Nga faqja e këtij mali ajo zbret deri në buzën e lumit Drino, i cili krijon një luginë shumë të bukur ne anën lindore të saj. Pa dyshim që Gjirokastra është një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë për vlerat e saj arkitektonike dhe historike. Qyteti dominohet nga një kështjelle e mrekullueshme, dëshmitare e kohrave të ndryshme. Kalaja e Gjirokastrës si shume pjesë të tjera të trashëgimisë Shqiptare është në rrezik imediat. Kalaja është e ndërtuar mbi shkëmb, dhe rreth tij ka pas peme të shumta, të cilat ndalonin erozionin dhe rrëshqitjet e tokës. Prerjet e pemëve dekadën e fundit ka shkaktuar rrëshqitje te mëdha dhe ka zbuluar komplet themelet e kalasë. Muret lindore të kalasë kanë çarjet më të thella dhe që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Pa këtë ndërhyrje kjo pasuri e trashëgimisë Shqiptare rrezikon të humbasë. Gjirokastra është shpallur qytet-muze në vitin 1963 dhe në vitin 2005 është shpallur pasuri botërore nga UNESCO.

1 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›