Greqia alarmohet nga largimi i emigrantëve, pasojat negative
Albert Gjoka
Nëse deri dje autoritetet greke kanë qenë të shqetësuara për futjen e emigrantëve në vendin e tyre, ata sot po shqetësohen për largimin e tyre. Prej disa muajsh ka nisur fenomeni i zhvendosjes masive të refugjatëve, qoftë nga Shqipëria, apo edhe Rumania dhe Bullgaria, ku pjesa më e madhe janë me dokumente të rregullta dhe i kanë paratë dhe sigurimet të depozituara në institucionet financiare greke.
Arsyeja e këtij shqetësimi janë statistikat e ditëve të fundit. Sipas të të dhënave zyrtare dhe të shumë studimeve, problemi është shumë shqetësues. Tre muajt e fundit është shtuar ndjeshëm numri i emigrantëve të larguar nga Greqia, të cilët kthehen në atdheun e tyre. Paralelisht, një numër i madh emigrantësh përpiqen të gjejnë punë në Greqi, por mendojnë njëkohësisht të kthehen në vendin e tyre.
Lëvizja e të huajve për riatdhesim ka filluar që prej një viti e gjysmë. Tremujorin e fundit kjo është shumë e theksuar, siç janë theksuar edhe shumë shenja që tregojnë se pjesa më e madhe e emigrantëve po mendojnë të kthehen në vendin e tyre.
Kategoritë që largohen
Shqetësimi i politikës greke, por edhe i organeve të sigurisë, filloi kur të dhënat tregonin se pjesa më e madhe e atyre që kishin ikur ose që mendonin të largoheshin janë emigrantë të ligjshëm, çifte të moshuarish ose të rinj që punonin në Greqi. Ata u përkasin kategorive që kanë siguracione dhe dokumente dhe në përgjithësi nuk kishin akuza penale, pra ishin familjarë shembullorë. Sipas statistikave, pjesa më e madhe e emigrantëve që po largohen janë shqiptarë.
Sipas të dhënave theksohet gjithashtu se ikja e emigrantëve të ligjshëm, dhe qëndrimi i atyre që nuk kanë marrë ende dokumentet për qëndrimin në Greqi mund të shërbejë për rritjen e mëtejshme të kriminalitetit në vend.
E njëjta gjë ndodh po ndodh edhe me emigrantët që vijnë nga shtetet e tjera anëtare të BE-së. Shumë bullgarë ose rumunë, të cilët kanë jetuar dhe punuar prej shumë vitesh në Greqi, tani po shohin mundësinë për t’u kthyer pranë familjeve të tyre, për shkak të krizës së madhe që ka përfshirë këtë vend prej disa muajsh.
Problemet që vijojnë
Qeveria e re greke, ndonëse në momente të vështira, aplikoi politika lehtësuese për ekstrakomunitarët. Madje ajo miratoi edhe paketën e re ligjore për dhënien e nënshtetësisë për disa kategori emigrantësh. Në Greqi llogariten më shumë se 1.5 milionë emigrantë, ku numrin më të madh e zënë shqiptarët. Pjesa më e madhe e shqiptarëve gjatë këtyre 20 viteve i kanë dhënë shumë ekonomisë greke, pasi kanë punuar me paga të ulëta, në treg informal pune dhe në profesione të vështira. Ata kanë dhënë kontribute për zhvillimin e bujqësisë. Po ashtu, me kursimet e tyre, emigrantët kanë ndikuar pozitivisht në shëndoshjen e sistemit bankar. Por, tashmë, largimi i tyre pritet të shoqërohet me një sërë pasojash negative mbi ekonominë kombëtare greke, si transferimi i depozitave nga bankat greke, tërheqja e sigurimeve shoqërore etj.
1 Korrik 2010