Qeveria rrit me 4 për qind pensionet e ushtarakëve
Laureta Rryçi
Qeveria ka rritur dje pensionet e të gjithë ushtarakëve me 4 për qind. Sipas vendimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave të gjithë ushtarakët, policët, punonjësit e Shërbimit Informativ do t’u ndryshojë masa e pensionit. Edhe pse vendimi hyn në fuqi me 1 korrik, përfituesit do të mund t’i gëzohen masës së re të pensionit vetëm nga fundi i muajit për shkak të disa procedurave. Në vendim janë parashikuar dhe përfitime suplementare për disa kategori ushtarakësh. Gazeta “Albania” po zbardh në numrin e sotëm vendimin e plotë të qeverisë.
Vendimi
Sipas vendimit të qeverisë rriten me 4 për qind pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, pensionet suplementare të pleqërisë, pensionet suplementare të invaliditetit, pensionet suplementare të invaliditetit të ushtarakëve që, për shkak të detyrës, për atë kategori që bëhen plotësisht të paaftë për shërbim, pensionet suplementare familjare, pensionet suplementare familjare të ushtarakëve, që kanë humbur jetën për shkak të detyrës, të caktuara me ligjin nr.8087, datë 13.3.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror”, dhe ligjin nr.8661, datë 18.9.2000, “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”, të ndryshuar me ligjin nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë. Trajtim i veçantë
Në kategorinë që do të përfitojnë trajtim të veçantë janë përfshirë familjet e pilotëve fluturues, të caktuara me ligjin nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar; pilotët fluturues sipas ligjit nr. 9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”; trajtim të veçantë financiar do të ketë edhe për të gjithë ata që janë përfitues nga sipas ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe polumbarëve të forcave detare, në pension”; të gjithë përfituesit sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”. Masa e pensionit do të rritet edhe për të gjithë ata që përfitojnë aktualisht pensione shtetërore suplementare si punonjëses të universiteteve, të shkollave të larta, të Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë. Efektet financiare, për vitin 2010, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të llogariten në shumën 98 420 mijë lekë dhe të përballohen nga fondi i kontigjencës, i caktuar në buxhetin e shtetit të vitit 2010, për rritjen e pensioneve. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2010.
1 Korrik 2010