Gjirokastra, tri ditë muzikë popullore
Mbi 300 artistë nga shtatë shtete të rajonit do të shfaqin tri ditë repertorët artistikë me muzikë popullore të vendeve të tyre në edicionin e dytë në festivalin ndërkombëtar "Fest-Argjiro 2009", që do të zhvillohet më 12-14 maj në odeonin e "Bashtesë së Teqesë" në zonën muzeale të qytetit të Gjirokastrës. Sipas kryetarit të bashkisë së qytetit, Flamur Bime, kjo veprimtari e madhe artistike do të jetë edhe një mundësi e mirë për industrinë e turizmit". Njëmbëdhjetë ansamble dhe gjashtë grupe polifonike të trevave shqiptare si dhe artistë nga Kosova, Greqia, Italia, Maqedonia, Kroacia, Bullgaria, do të ngjiten në një skenë me skenografi krejt natyrore, ku do të shpalosin kulturën dhe traditat e vendeve të tyre. Gjatë tri ditëve të festivalit në Gjirokastër do të organizohen me këtë rast edhe një sërë aktivitetesh artistike të ndryshme, si panairi i librit, hapja e ekspozitës së piktorit pogradecar, Anastas Kostandini etj. "Artistët nga shtatë shtetet e rajonit pritet të gjejnë mikpritjen e ngrohtë gjirokastrite, pasi shumë subjekte private të hotelerisë, do të presin njerëzit e artit dhe të kulturës", u shpreh Bime. Në edicionin e parë të festivalit ndërkombëtar "Fest-Argjiro 2009", që u zhvillua në shtator, 2009, morën pjesë 350 artistë nga tetë shtetet e rajonit.