E Diel, 1 Nëntor 2026

"Zbrazet" fondi, ekspozohen 200 vepra të panjohura

Për çdo kureshtar apo turist që do t‘i drejtohet Galerisë Kombëtare të Arteve, rrugëtimin artistik do ta nisë me veprën e njohur "Motra Tone" të Kol Idromenos. Mban vitin 1883. Prej këtu, ata që bënë art dhe veprat që krijuan, janë grupuar në 6 periudha. Rikonceptimi i fundit që i është bërë linjës muzeale të këtij institucioni e ka zhdukur formulën "Rilindje-Realizëm socialist-Arti pas viteve ‘90". Drejtori Rubens Shima shprehet se i kanë kthyer dinjitetin Galerisë dhe Artit shqiptar e se ky institucion i artit i shpëton përfundimisht tranzicionit. Në fakt duket si një deklarim i radhës i drejtorëve për arritje, kur në historinë e Galerisë mbahen mend ndërrimet e shpeshta të titullarëve, mure të ngritura dhe të tjera të shembura nga pasardhësi. Shima e konsideron këtë një çlirim nga ideologjizimi i trashëguar dhe shpjegon "fytyrën e re" të Galerisë.

Prej sot, dashamirësit e artit pamor do të shohin një fytyrë tjetër të Galerisë Kombëtare të Arteve. Si është e organizuar linja muzeale në këtë ristrukturim total?

Pas 20 vjetësh mungese, orientimi dhe drejtimi të paditur ku institucioni ishte futur, pas një periudhe ndërhyrjeje prej një vit e dy muaj punë, i rikthejmë dinjitetin Galerisë Kombëtare dhe historisë së artit shqiptar. Këtu nuk është rasti për akuza. Herë pas here ka pasur tentativa, por me këtë ekspozitë historike të qëndrueshme dhe me rinovimin e së gjithë infrastrukturës, Galeria del përfundimisht nga periudha e tranzicionit. Kjo linjë e re muzeale, e ndërtuar nga 6 periudha, (Fillesat e pikturës në qytetet shqiptare, Piktura realiste dhe Shkolla e Vizatimit (1930-1950), Pikturaskulptura akademike dhe tabloja me temë historike (1950-1986), Realizmi socialist, ndërtimi i modeleve të njeriut të ri (1960-1986), Piktura formaliste e realizmit socialist (1969-1974), Piktura dhe skulptura moderniste (1989-2001) me nëntemë "elementë të pikturës moderniste në vitet 1960-‘70) është një narrativë e përpjekjeve të zhvillimit të artit shqiptar që nga fundi i shekullit XIX deri në fundin e shekullit XX dhe vitet e para të shekullit që jetojmë. Nga shqyrtimi i kujdesshëm i së gjithë trashëgimisë që ruhej në fondin e Galerisë, u përzgjodhën rreth 200 vepra në pikturë dhe skulpturë për ekspozim. Ishte e rëndësishme që ky muze të kishte një qasje didaktike për publikun, të kuptohet me vërtetësi gjithçka që ka ndikuar në zhvillimin e artit shqiptar, duke shmangur pjesën e ideologjizimit. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për të diskutuar apo edhe debatuar rreth këtyre periudhave. Unë nuk pres që brezi i vjetër ta kuptojë, por besoj te të rinjtë. Në të shkuarën, në një kuptim muzetë kanë qenë më shumë shoqërorë se sa shkencorë. Nisur nga kjo tendencë, besoj se do të ketë autorë që do të kërkojnë shpjegime se pse nuk janë ekspozuar veprat e tyre.

Cilat kanë qenë kriteret vlerësuese për përzgjedhjen e veprave që përbëjnë linjën muzeale?

Nuk flasim për kritere vlerash se sa flasim për periudha. Nuk është bërë një studim i mbështetur mbi bibliografi për gjithë këtë trashëgimi, por pasi hap gjithë fondin dhe shqyrton materialin, kupton qartas se periudhat janë ulëritëse. Veprat janë përzgjedhur në bazë të vlerës që transmetojnë e që lidhet me informacionin e kohës dhe periudhës në të cilën janë krijuar. Koleksioni jo shumë i madh i periudhës së parë, titulluar "Piktura e qyteteve", flet shumë për Shqipërinë e fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Kjo është datëlindja e pikturës shqiptare që herë shfaqet në forma amatoreske, apo ku mund të gjesh ndikime të një fryme shumë të vonuar të romantizmit evropian. Në të njëjtën formë janë përzgjedhur edhe veprat e viteve ‘30. Hapja e shkollës së vizatimit në Tiranë më 1931 është një ngjarje e rëndësishme. Një grup studentësh fillojnë të marrin mësimet e para rreth vizatimit e pikturës, më vonë shkojnë e shkollohen në akademitë perëndimore, kthehen në Shqipëri, bëjnë ekspozitat e para. E gjithë kjo ndikon në një marrëdhënie të re të pikturës që vazhdon deri në vitet ‘50, ku këta autorë bëjnë kapërcimin e parë drejt pikturave me temë politike dhe po këtu merr fill periudha që është emërtuar akademike dhe tabloja me temë historike. Më vonë kalojnë te realizmi socialist ku përzgjedhja e veprave synon të tregojë vendosjen e plotë të artit në funksion të politikës dhe ideologjisë së kohës. Gjithë periudhat e tjera janë ndërtuar mbi informacionet e marra nga vetë pikturat dhe jo duke u bazuar në emra piktorësh.

Cila nga periudhat ka "befasuar" më shumë?

Më ka befasuar periudha që lidhet me vitet ‘69-‘73, prirja moderniste që u shfaq te të gjithë artistët. Ky art u krijua në kohën e realizmit socialist, por ishte një tendencë e ndikuar nga informacioni dhe dija që vinte nga Perëndimi. Piktorët e kësaj kohe për justifikim zgjidhnin një temë të realizmit socialist, por e punuar me një stilistikë plotësisht moderne. Ishte e pakuptimtë që këto vepra të përfshiheshin dhe të studioheshin si piktura të realizmit socialist. Brenda këtij grupi kemi elementët e parë të modernizmit në Shqipëri.

Cilët janë disa nga emrat që ekspozohen?

Të gjithë janë të rëndësishëm për periudhat në të cilat kanë punuar. Që nga fillesat ka vepra që dalin për herë të parë. Të tilla janë pikturat e Pjetro Marubit, një portret i Karamahmut Pashës, punë të periudhës së shkollës së vizatimit, të krijuara nga studentët e kthyer në Shqipëri, të cilët i japin prirje realiste pikturës shqiptare. Janë emra si Zajmi, Buza, Kaceli, motrat Zengo. Kemi vepra të Odise Paskalit. Po ashtu do të ekspozohet një fragment nga një nudo e Janoç Paços, të cilat në atë kohë u thyhen.

Sot, piktorët tregojnë për nudo që i kanë mbajtur të fshehura në studiot e tyre. A ka të tilla në fondin e Galerisë Kombëtare? Nudot janë të rralla. Në fond ruhet vetëm ndonjë fragment nudo i Paços. Për herë të parë ekspozohet edhe një nudo e shkollës e Sali Shijakut, e cila nuk e di se për çfarë arsyesh ishte blerë në vitet ‘60-‘70 nga Galeria. As emri i tij nuk ishte shënuar shqip.

Në periudhën "Piktura dhe skulptura moderniste" ju përfshini vepra nga viti 1989 deri më 2001. Pse nuk janë përfshirë veprat e tetë viteve të fundit?

Artistët që i përkasin periudhës së modernizmit vazhdojnë të jenë produktivë edhe sot e kësaj dite. Galeria kaq i ka kapacitetet e veta për të ekspozuar. Ne këtu mbyllim mundësitë tona fizike për të ekspozuar dhe bëhet emergjente krijimi i një hapësire të re alternative për atë që ndodh sot në artin bashkëkohor. Galeria Kombëtare nuk mund të mbajë mbi vete gjithçka që ndodh mbi artet dhe stabilizimi i galerisë nxjerr në pah mungesën e sistemit të artit. Gjithsesi galeria do të jetë e vëmendshme ndaj çdo lloj zhvillmi artistik që ndodh në terren dhe do të vazhdojë të ketë në funksion sallën e ekspozitave të përkohshme në katin e parë.

Janë restauruar veprat që janë zgjedhur të ekspozohen?

Ka pasur ndërhyrje të lehta e të pjesshme sa për ekspozim, por edhe disa restaurime të plota. Veprave u janë vënë korniza të reja dhe gjatë këtij procesi përgatitor kemi hasur disa probleme me shasitë për shkak të materialit të dobët dhe mungesës së kujdesit për një kohë të gjatë.

A do të ketë një studim të mëtejshëm për këto vepra të nxjerra nga fondi?

Do të ndërmerret një studim i prirur drejt një procesi shkencor që do të plotësojë dhe të argumentojë shkencërisht veprat. Mungojnë emra, vitet e realizimit nuk janë të sakta, tituj veprash që nuk janë vënë nga autori. Interes studimi nuk paraqet vetëm fondi i Galerisë Kombëtare, por edhe fondet e shumë galerive të rretheve, ku veprat janë në gjendje të mjerueshme dhe herë rrezikojnë shkatërrimin.

Zbulohet autoportreti i fshehur i Zef Kolombit

Nëse suporti i pikturës nuk do të ishte aq shumë i dëmtuar, autoportreti i Zef Kolombit do të kishte mbetur i fshehur. Piktura ka qenë një rastësi për restauruesit e Galerisë së Arteve. Gjithçka është zbuluar në proces pune. Restauruesi Olsi Laska po kujdesej për një ndërhyrje në pikturën "Rrugë në Elbasan" të Kolombit, e ekspozuar në linjën muzeale. "Suporti i pikturës ishte shumë i dëmtuar dhe vendosëm t‘i vinim një shasi të re. Kur u hoq kanavaca prej suportit, pamë që nën të ishte një autoportret i Zef Kolombit", shprehet Laska. Ndërsa restauruesja Majlinda Agolli thekson se piktura është e pambaruar. Janë hedhur vetëm disa penelata. "Autori ka punuar mbi një kompensatë. Me sa duket, kjo vepër që po realizonte nuk i është dukur me shumë rëndësi, mbi të ka veshur një kanavacë, ndërsa kompensata ka shërbyer si bazament për të forcuar kanavacën. Piktori e ka ‘varrosur‘ vet pikturën e tij, ndoshta sepse nuk e ka pëlqyer. Janë ca penelata që prezantojnë një hedhje të autorit në këtë autoportret që mund të jetë i pari, i dyti apo i treti, gjë që mbetet për t‘u vendosur nga studiuesit", shprehet Agolli. Sipas saj, vepra paraqet interes studimi në këndvështrimin se si piktori ka organizuar hedhjen e parë të veprës. Nga pas piktura ka disa vula, gjë që dëshmon se vepra është ekspozuar dhe askush nuk e ka ditur që nën të fshihej një autoportret. Pikturat janë ndarë nga njëra-tjetra. "Rrugicë në Elbasan" është e ekspozuar në linjën e re muzeale, ndërsa autoportretit i është bërë dezinfektimi i parë, për të zhdukur mbetjet e insekteve. Vepra do të konsolidohet dhe do të bëhet pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare me një numër inventari të caktuar. Ky është i vetmi rast i këtij lloji për restauruesit gjatë ndërhyrjeve për t‘i bërë veprat e fondit të ekspozueshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›