E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjithë burrat e Mbretëreshës

Në Anglinë viktoriane, grave u thuhej se duhej të silleshin si sovrania e tyre: t‘u qëndronin besnike bashkëshortëve, të mos e tregonin trupin dhe të bënin sa më shumë fëmijë. Por, Mbretëresha Viktoria ishte shumë larg nga tipi i plot virtytshëm e i moralit të mirë për të cilin flitet ende në kohën e sotme. Përkundrazi, sipas një filmi që të hënën pritet të transmetohet në "Channel 4" në Britani, mbretëresha ishte tjetër njeri. I pëlqente jeta e shthurur dhe aventurat me meshkujt. Dhe për ta mbështetur këtë, na duhet ta themi se pas bashkëshortit Albert, pati si dashnorë dy kryeministra dhe dy shërbëtorë, madje me njërin bëri edhe një martesë sekrete. Titulli i programit është menduar të jetë "Queen Victoria‘s men" ("Burrat e mbretëreshës Viktoria", pasi ra poshtë varianti për "Victoria Secretes" si marka e të brendshmeve të famshme në internet). E në fakt, tradhtitë e Viktorias ishin vënë në dukje nga shumë historianë, por për shumë anglezë, për të cilët burimi kryesor i informacionit është televizioni, do të jetë një surprizë e vërtetë të shohin të shkatërruar një mit që prej dhjetëvjeçarësh shihet si modeli më i mirë për t‘u kopjuar prej grave dhe vajzave. Nëse Zigmund Frojd do të kishte mundur ta shihte Viktorian mbi divanin e saj, do ta kishte kuptuar se faji për gjithçka e si gjithmonë ka qenë i prindërve. I ati, Duka i Kentit, vdiq kur ajo ishte 8-muajshe, ndërsa e ëma e detyroi që të flinte me të deri sa mbushi 18 vjeçe, në vitin 1837. Vetëm pak muaj më vonë, pas vdekjes së xhaxhait Guiliemi IV, kur u bë mbretëreshë, Viktoria u largua nga e ëma dhe filloi të kërkonte atë që i kishte munguar deri në atë kohë: mbështetjen e një figure mashkullore. E në fakt atë që kërkonte e gjeti te Kryeministri, Lordi Melburn, një reaksionar cinik që i tregoi sekretet e politikës dhe punëve të shtetit, pa i kursyer sovranes së re -sipas asaj që shkruan historiani Tristam Hant- edhe suportin seksual. Me pak fjalë, Kryeministri e provoi edhe me Mbretëreshën, të cilën e shihte si të zgjuar dhe mondane, pas të cilës tha se u dashurua çmendurisht. Sigurisht që ishte e pakonceptueshme një martesë me Melburn, i cili ndihmoi në lidhjen e Viktorias me kushëririn e tij, Albert. Por ishte pikërisht Melburn ai të cilit Mbretëresha i shkroi për t‘i përshkruar detajet e mrekullueshme të natës së parë të martesës. "Ishte një eksperiencë e mrekullueshme. Nuk kisha kaluar kurrë një natë kaq të zjarrtë. Dashuria e tij më krijoji ndjesinë se gjendesha në parajsë. Më shtrëngoi fort në krahët e tij e u puthëm shumë, shumë". Nëntë muaj më vonë lindi i pari nga nëntë fëmijët që erdhën në jetë njëri pas tjetrit, duke u bërë kështu shembull i familjes viktoriane të asaj epoke, ndërsa kishin qenë të pashmangshme pasojat e një kënaqësie fizike të kërkuar vazhdimisht. Viktoria nuk deshi vërtet asnjë nga fëmijët e saj dhe më pak nga të gjithë Bertien, mashkullin e parë, trashëgimtarin e fronit. Ishte një periudhë kur në pallat gjendeshin nëntë fëmijë më të vegjël se 15 vjeç dhe një nga shqetësimet kryesore të çiftit ishte ajo e vendosjes së një mekanizmi në bizë të krevatit, që të mund të bllokonte derën e dhomës kur ishte e nevojshme, në mënyrë që të evitohej që dikush nga fëmijët të zbulonte prindërit në pozicione të vështira për t‘u shpjeguar. Kur Alberti i dashur u nda nga kjo jetë, pak më shumë se 40 vjeç, Viktoria u mbërthye nga depresioni. Flinte me një kopje të dorës së tij në krevat dhe mbushte çdo ditë me ujë të ftohtë enën që ai përdorte për t‘u rruar, sikur të ishte ende gjallë. Ajo nuk u shfaq në publik për tre vjet rresht. Izolimi i saj i gjatë shkaktoi kritika publike. Sidoqoftë, nën influencën e Kryeministrit Benxhamin Disraeli, Viktoria iu rikthye jetës publike në vitin 1866. Por Viktoria s‘reshi kurrë së vajtuari për princin e saj të dashur, duke u veshur me të zeza deri në fund të jetës së saj. Histerike dhe e paaftë për të menduar për çështjet e qeverisë, mbretëresha do të kishte pasur vërtet nevojë për këshillat e Frojdit. Megjithatë, dikush e nuhati se cila ishte zgjidhja më e mirë, sepse nga kështjella e Balmoralit u soll në Londër Xhon Braun, shërbëtori skocez i bashkëshortit të ndjerë. Braun, një njeri i ashpër, që shpesh rrinte i dehur, u bë kamerieri personal i Viktorias, me të cilin ajo ra në dashuri. Njerëzit e thërrisnin "hamshori i mbretëreshës", ndërsa për republikanët ajo ishte bërë tashmë "zonja Xhon Braun". Por Viktoria nuk e vriste fare mendjen për këtë. Ajo rrëfente se Braun i kujtonte shumë bashkëshortin, por sigurisht jo për kapacitetin intelektual nga i cili ndryshonin si nata me ditën. Gjatë lidhjes me Braun, Viktoria u magjeps nga një tjetër Kryeministër, njeriu i luftërave koloniale, një lloj njeriu për të cilin Çarls Dikens shkruante nëpër romane. Ai i dërgonte poezi erotike, ndërsa ajo e mbulonte me dhurata dhe shikime dashurie. Dashuria e saj e fundit, në moshën 68-vjeçare, ishte Abdul Karim, një i ri simpatik indian, i cili kishte ardhur fare rastësisht në pallat. Viktoria ëndërronte t‘i kalonte vitet e saj të fundit në Indi, vendin që e konsideronte si parajsë të vërtetë. Por Karim i tregoi se ai ishte një lloj agjenti sekret, një spiun vulgar, i cili kishte shpërdoruar besimin e një zonje të moshuar. Pak para se të vdiste, Viktoria la disa porosi për mënyrën se si duhej ta rregullonin trupin e saj në arkivol. Kishte kërkuar që ta vishnin me fustan nuseje dhe t‘i vinin nga njëra anë "dorën" e Albertit, ndërsa nga tjetra një grusht flokë dhe një fotografi të Xhon Braunit. Kohët e fundit është zbuluar se unaza që Viktoria mbante në gisht, ishte ajo e nënës së Braunit, gjë që bashkë me dëshminë e një prifti llafazan, tregon se të dy ishin martuar fshehurazi. Kjo ka qenë Viktoria, mbretëresha që zyrtarisht ishte e mbyllur ndaj çdo kënaqësie e dëshire, që akoma të sheh vëngër nga statuja e saj përballë "Buckingham Palace". Në fund të fundit, esenca e viktorianizmit nuk ishte ndalimi i bërjes së gjërave. Gjithçka ishte e ligjshme, si për mbretëreshën, ashtu edhe për nënshtetasit e saj. E thuajse dy shekuj më vonë Anglia është akoma kështu.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›