E Diel, 1 Nëntor 2026

"Unë, nëna më e moshuar në botë"

Në pamje të parë duket si një gjyshe që ka vendosur të çojë mbesën e saj për t‘u zbavitur në park, por në të vërtetë rumunia Adriana Iliesku, që të dielën mbushi 70 vjeçe, është nëna e vërtetë e Elizës 3-vjeçare. Gruaja e moshuar jeton e vetme me vajzën, me një pension mujor rreth 300 euro në muaj dhe me paratë që fiton nga puna part-time si profesore universiteti. Adriana nuk ka familje ose miq të afërt që ta ndihmojnë dhe i vetmi që interesohet për shëndetin dhe jetën e Elizës është doktori që bëri të mundur mbjelljen artificiale, me anë të së cilës ajo erdhi në jetë. Tani, teksa flet për herë të parë rreth jetës së saj, ajo tregon: "Jam e shëndetshme dhe nuk kam vuajtur kurrë nga asnjë sëmundje. Nuk pi kurrë duhan apo alkool dhe nëse do të jetoj aq gjatë sa kanë jetuar prindërit dhe të afërmit e mi, Eliza do të jetë njëzet vjeçe kur unë të kem vdekur. Mendoj se akoma kam shumë për t‘i dhënë asaj". Në të vërtetë, pensionistja tronditi botën kur në 16 janar të vitit 2005, në moshën 66 vjeçe e 230 ditë, solli në jetë një fëmijët përmes fekondimit in vitro. Tani, tre vjet më vonë, Adriana, që arriti të gjente edhe një dhurues sperme për të lindur një fëmijë, jeton e vetme me vajzën e saj, në një apartament të vogël në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht. Ajo është krenare për vendin e saj në "Guinness Book of Records" si nëna më e vjetër në botë, deri sa vendin e saj e zuri gruaja spanjolle, Carmela Bousada, që lindi dy binjakë në 29 dhjetor të 2006-ës, në moshën 66 vjeçe e 358 ditë. Kur Adriana ecën rrugëve me Elizën, për ta çuar në park ose në treg, fëmijët ose adoleshentët e thërrasin atë "plakë". Por ajo thotë se nuk ua vë veshin fare fjalëve të tilla, madje çdokush që flet i jep më shumë kurajë për zgjedhjen që ka bërë. "Asnjëherë nuk e kam vrarë mendjen nga paragjykimet. Nuk ka ndodhur asgjë e pakëndshme, të paktën për mua. Në Rumani njerëzit që kanë fëmijë admirohen shumë", tregon. Adriana akoma shkon në Universitetin e Bukureshtit 7 orë në javë për leksione dhe disa orë shtesë seminare, ndërsa Eliza shkon në një çerdhe larg shtëpisë. Por, 70-vjeçarja merr edhe një ndihmë ekstra nga bashkia e qytetit për ta ndihmuar dhe lehtësuar sadopak në vështirësitë e moshës për rritjen e kësaj fëmije. Çdo mëngjes një taksi dërgohet në shtëpinë e saj për të çuar Elizën në çerdhe dhe kthehet sërish për ta sjellë atë në orën 3 pasdite.

"Çerdhja është pak larg, ndaj është e vështirë të marrësh autobusin apo të ecësh më këmbë", thotë ajo. Kur nuk është në punë, Adriana pushimin e bën duke lexuar libra, ndërsa për vajzën e saj kujdeset një ndihmëse. "Nuk kam kohë as të lahem. Edhe kur vajza fle, i mbaj sytë tek ajo", pranon Adriana. Në dy vitet e para të jetës, Eliza, motra binjake e të cilës vdiq para lindjes, zgjohej rregullisht natën. Ka pasur një shqetësim në kraharor dhe një kollë që nuk i pushonte për orë me radhë. Këto ditë kanë qenë shumë të trishtuara për mua. Nuk mbyllja sy gjithë natën. Më duhej ta mbaja në krahë, sepse ajo gjithmonë ka dashur që të jetë shumë ngjitur me mua", tregon nëna e përkushtuar 70-vjeçare.

Eliza, që tani i ka kaluar tre vite jetë, mund të numërojë e të mbledhë. Asaj i pëlqen gjithashtu të lexojë dhe pikturojë, madje di të tregojë edhe aktorët e saj të preferuar. "Ajo është një fëmijë i zgjuar dhe me personalitet. Ndërsa për sa u përket defekteve, është shumë kokëfortë". Adriana, atëherë 66 vjeçe, ndihmohej rregullisht nga disa kujdestare kur vajza ishte ende e vogël. Por tani, atë rrallë e viziton njeri, pasi nuk ka asnjë familjar apo të afërt që ta ndihmojë e të kujdeset për Elizën. "Është e trishtueshme, por kam pasur një keqkuptim me familjen dikur. Kjo ka ndodhur kohë më parë, për një copë toke dhe pronat që kishim në fshat. Unë nuk doja t‘i shisja, ndërsa ata po. Kështu, kjo mospërputhje na çoi në konflikt me njëri-tjetrin në familje", thotë ajo.

Kur ishte e re, Adriana bëri një abort në moshën 20-vjeçare, pas martesës me një student në Bukuresht. "Nuk e kisha planifikuar. Isha në vitin e tretë në universitet dhe sapo e kisha marrë veten pas kurave nga tuberkulozi. Doktorët më paralajmëruan që të mos ngelja shtatzënë, sepse fëmija nuk do të zhvillohej plotësisht". Çifti u nda pas pak kohe, për shkak të problemeve të shkaktuara nga konflikti politik gjatë viteve të egra të komunizmit. "U bëra asistente pedagoge dhe që atëherë nisa të punoja në universitet dhe të publikoja librat e mi", thotë Adriana. "Gjithmonë e kam dashur një fëmijë, por kam qenë shumë e zënë dhe kurrë nuk kam pasur një shok. Vetëm këto vitet e fundit, mbjellja artificiale për lindjen e fëmijëve hyri edhe në Rumani". Por Adriana ka menduar edhe për të ardhmen e Elizës, kur ajo të mos jetë më. "Nëse vajza ime do të jetë 16 vjeçe, ajo do të jetë në gjendje të punojë vetë. Nëse do të jetë më e re, shpresoj në dy gjëra: së pari në shërbimin shtetëror për kujdesin e fëmijëve dhe së dyti te doktor Bogdan Marinescu, që është edhe nuni i saj. "Njerëzit mund të vdesin në çdo kohë. Nuni tjetër i Elizës, një tjetër mik i imi, vdiq papritur në moshën 49-vjeçare, duke lënë pas katër fëmijë". Megjithatë ajo shpreson se Eliza nuk do të përsërisë gabimin e saj. "Dua t‘i them vajzës sime që të lindë një fëmijë përpara se të mbushë 30 vjeç. Të kesh fëmijë është diçka e mrekullueshme, përndryshe të duket sikur jeta nuk ka pasur asnjë kuptim. Nëse një nënë ka sjellë në jetë një fëmijë, për të vdekja nuk ekziston. Plutoni e ka thënë qartë: "I lumtur është njeriu që ka dikë që të mund ta varrosë kur të vdesë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›