Gjithqysh një ministri
Udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës nuk kanë përgjigje nëse duhet t’i ndahet edhe një ministri e “premtuar” partisë së Behgjet Pacollit.
Kryeministri Hashim Thaçi dhe zëvendësi i tij në Qeveri dhe në parti, Hajredin Kuçi, nuk dëshirojnë të flasin kur pyeten për ndarjen edhe të një dikasteri qeveritar për partnerin e vogël në koalicion.
Në një intervistë televizive, Hashim Thaçi i është shmangur përgjigjes për mundësinë e ndarjes së një posti ministror për AKR’në, derisa Hajredin Kuçi ka thënë se nuk di për një marrëveshje të tillë.
As të premten, Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi nuk ka dashur të flasë për marrëveshjen me Pacollin.
Zëvendëskryeministri Kuçi krejt përgjegjësinë për koalicionin me AKR’në e ka lënë te shefi i tij.
“Është çështje që e negocion Kryeministri me ta”, ka qenë përgjigjja e vetme e Kuçit.
Por, përgjigjeje kanë zyrtarët e AKR’së, të cilët kërkojnë me këmbëngulje edhe një post në Qeveri.
Dy zyrtarët e partisë së pestë në Parlament, Ibrahim Gashi dhe Ibrahim Makolli, besojnë se marrëveshja me PDK’në për ndarjen e posteve qeveritare do të zbatohet në tërësi. Ata nuk dëshirojnë as të besojnë se partia e Thaçit mund t’u ikë zotimeve të marra me nënshkrimin e marrëveshjes për koalicion.
Nënshkrimi i marrëveshjes për ndarjen e pushtetit mes Thaçit dhe Pacollit është bërë në shkurt të këtij viti dhe aty janë paraparë t’i ndahen AKR’së posti i Presidentit, plus një post zëvendëskryeministri, tri poste ministrore dhe tre zëvendësministra.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që detyroi Liderin e AKR’së të lërë postin e Shefit të Shtetit, Pacolli pati thënë se do të vazhdojë koalicionin me PDK’në me kusht që të marrë plus edhe një post Zëvendëskryeministri, dy poste ministrore dhe tre zëvendësministra.
Megjithëkëtë, zëvendësi i dytë i Pacollit në AKR, Ibrahim Gashi thotë se presin shpejt të marrin nën udhëheqje edhe një ministri.
“Marrëveshja ka qenë që AKR të marrë edhe Ministrinë e fundit - të pestën dhe ne jemi në pritje të realizimit të kësaj marrëveshjeje. Nuk shohim arsye mos të ndodhë kjo. Ne jemi në pritje dhe nuk jemi aspak të shqetësuar se nuk do të zbatohet marrëveshje. Kemi besim se marrëveshja do të zbatohet në tërësi”, ka thënë Gashi, për Express, të premten.
Ky zyrtar nuk ka dashur të tregojë se kur do të zbatohet marrëveshja, pasi kjo, sipas tij, është dorën e Pacollit dhe Thaçit.
Ai nuk ka dashur të komentojë mungesën e një përgjigjeje nga PDK’ja.
“Mund të jetë që është neglizhuar puna, por nuk shoh ndonjë arsye të qëllimshme që nuk kanë dhënë përgjigjeje në këtë”, ka thënë ai.
Edhe Ministri më i ri në Qeveri nga AKR’ja, Ibrahim Makolli, nuk dëshiron të besojë se marrëveshja nuk do të zbatohet.
“Po presim që kjo marrëveshje të realizohet. Nuk dua t`i prejudikoj gjërat, por unë besoj se marrëveshja do të realizohet”, ka thënë Makolli.
Edhe udhëheqësi i sapokthyer në AKR, Behgjet Pacolli ka thënë se Thaçi do të zbatojë marrëveshjen për ndarjen e hises në Qeveri.
Por, është arsyetuar se ndarja e postit të premtuar nuk ka ndodhur për shkak të problemeve që kanë pasur në Veri dhe procesit të njohjeve.