Nuk lëshojnë pe

Lehtësuesi i dialogut Prishtinë–Beograd, britaniku Robert Cooper nuk ka arritur t’ua ndryshojë mendjen autoriteteve serbe rreth vazhdimit të dialogut.
Pas takimeve me ndërmjetësin evropian, serbët vetëm kanë konfirmuar pozicionet e tyre se së pari duan një zgjidhje për pikëkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjakë në mënyrë që më pas t’i kthehen dialogut për çështjet teknike.
Cooper ka takuar shefin e delegacionit serb, Borko Stefanovic dhe Ministrin serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic. Pas takimeve, ai nuk ka folur për mediat, por këtë e kanë bërë bashkëbiseduesit e tij në Beograd.
Stefanovic ka refuzuar të thotë se dialogu është ndërprerë. Për më tepër, ai ka thënë se propozimet e palës serbe për zgjidhjet e problemeve në pikëkalimet kufitare kanë hasur në mirëkuptim të ndërmjetësve.
Por kur është pyetur nga gazetarët rreth vazhdimit të dialogut teknik, Stefanovic nuk i ka fshehur kërkesat e palës serbe.
“Mendoj se është me rëndësi që kemi treguar se me bashkësinë ndërkombëtare dhe BE’në duam të zgjidhim çështjen e pikëkalimeve dhe në atë moment kur t’i kemi konturat e kësaj zgjedhjeje, kur ta kemi të qartë se kemi ardhur te zgjidhja, ne në kuptimin formal do t’i vazhdojmë bisedimet me Prishtinën dhe nuk shohim pse nuk do të bëjmë kështu, nuk jemi kundër dialogut”, ka thënë negociatori serb.
Për këtë, Stefanovic ka ofruar edhe disa argumente të tij duke u shprehur kundër agjendës të caktuar nga ndërmjetësit evropianë.
“Është e vështirë dhe mendoj se është e pamundur që të bëhet dialog në një situatë kur ka pasur të shtëna në Veri të Kosovës dhe nuk mund të bisedohet për rrymën dhe bashkëpunimin rajonal, derisa nuk zgjidhet çështja e Jarinjës dhe Bërnjakës, pavarësisht pse Prishtina mendon se është duke i zgjidhur ato”, ka thënë Stefanovic.
Negociatori serb ka theksuar se ndërprerja e bisedimet nuk mund të reflektohet negativisht në qëndrimin e Brukselit ndaj Serbisë.
“Mendoj se mendimi i KE’së nuk mund të jetë negativ; ne kemi treguar kapacitet dhe rezultate konkrete në dialogun me Prishtinën. Dialogu nuk është ndërprerë, e as shtyrë. Dëshira e BE’së është thënë publikisht natyrisht që dialogu të vazhdojë sa më parë…” ka thënë ai.
Stefanovic ka paralajmëruar konsulta urgjente të Beogradit me përfaqësuesit serbë të komunave veriore, të cilat konsiderohen ilegale në Prishtinë.
Ai ka mohuar që të ketë pasur presion nga bashkëbiseduesi i tij europian për heqjen e barrikadave në pjesën veriore.
“Nuk ka pasur presion, nuk ekziston kjo në bisedimet tona. Kemi pasur bisedime të detajuara, nuk ka pasur presion që të hiqen barrikadat, ato janë dëshirë dhe aktivitet i qytetarëve që jetojnë në Veri, ato nuk i ka vënë Serbia”, ka thënë Stefanovic.
Por ai ka thënë se Serbia i përkrah barrikaduesit.
“Por qytetarët që kanë vënë barrikadat e kanë mbështetjen e Republikës së Serbisë”, ka thënë Stefanovic.
Serbia ka vendosur të ndërpresë negociatat në fund të muajit shtator, kur ishte planifikuar të bisedohej për energjinë elektrike, telekomin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në forumet ndërkombëtare.
Robert Cooper nuk kishte hezituar të tregojë se dialogu nuk kishte vazhduar për shkak të mosgatishmërisë serbe dhe insistimit që të dialogohet për dy pikat kufitare.
Cooper kishte bërë me dije se këto tema nuk kishin qenë të parapara.
Stefanovic ndërkaq ka folur edhe rreth implementimit të marrëveshjeve të arritura duke thënë se Serbia është e gatshme t’i implementojë ato.
Prishtina premton konstruktivitet
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka komentuar të premten vizitën e Robert Cooperit në Prishtinë.
Gjatë një debati me studentë, Kuçi ka thënë se Cooper pritet të shtyjë vazhdimin e bisedimeve.
“Kosova ka vullnet që të marrë pjesë në dialog dhe ne do të jemi konstruktivë në përputhje me Kushtetutën tonë, natyrisht edhe me temat e përcaktuara nga Kuvendi i Republikës. Nga z. Cooper presim një shtytje pozitive për dialogun, natyrisht nga ana e Serbisë, sepse Kosova për temat e përcaktuar është e gatshme të marrë pjesë”, ka thënë Kuçi.
Ai ka thënë se dy pikëkalimet kufitare nuk do të jenë pjesë e procesit të bisedimeve.
“Çështja e dialogut dhe çështjet e rregullimit të brendshëm kushtetues janë dy çështje të ndara. Në këtë drejtim, ne bashkëpunojmë me institucionet vendore, me Brukselin, Washingtonin dhe nuk lidhen me çështjen e dialogut”, ka thënë ai.
Ai ka komentuar edhe deklaratat në Beograd se megjithatë, Jarinja dhe Bërnjaka do të jenë pjesë e bisedimeve.
“Ata po luajnë pak me emocionet e publikut në Serbi. Po krijojnë iluzionin, por atë që e dinë ata – e dimë edhe ne dhe gjithë të tjerët se çështjet e tërësisë territoriale, të sovranitetit të vendit, kanë përfunduar.
Për bisedimet ka folur edhe Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se bisedimet do të vazhdojnë.
“Çështja e bisedimeve do të vazhdojë edhe pas ndërprerjes, sepse bisedimet janë perspektiva për të dy vendet, si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën, për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe strukturat e tjera euroatlantike”, ka thënë Krasniqi.
Por ai është shprehur skeptik sa i përket rezultatit të bisedimeve.