Ish- juristi i Kuvendit, i pandehur për mashtrim
Prokuroria: Mbyllet hetimi për Xhutin, i akuzuar si "sekser" në Gjykatën e Lartë. Kishte fituar gjyqin për pushim nga puna
TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit mbylli hetimet dhe dorëzoi për gjykim pranë togave të zeza dosjen penale ndaj ish-juristit të Kuvendit të pandehurit Albert Xhuti për akuzën e "mashtrimit". Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët sqaruan se nga hetimet gati tremujore, është arritur të provohet se i pandehuri Xhuti ka mashtruar familjen Bega. Mashtrim ky, që sipas akuzës, konsiston në faktin e marrjes së shumës prej 5 mijë eurove nga i pandehuri me premtimin e lirimit nga Gjykata e Lartë të shtetasit të dënuar Iljaz Bega.
Familja e këtij të fundit, nga ana tjetër, pat pretenduar se ish-juristi i Kuvendit, Xhuti, i kishte marrë kundrejt premtimit për lirimin e 71- vjeçarit Bega shumën prej 10 mijë euro. Sipas kërkesës për gjykim, mësohet se familja Bega kishte bërë pagesën tek "mashtruesi" Xhuti në muajin korrik 2009, ndërkohë Gjykata e Larte kishte shpallur vendimin për të dënuarin me 14 vite burg Iljaz Bega më 23 mars 2009, pra tre muaj pas mos pranimit të rekursit nga Gjykata e Lartë. Me mos pranimin e rekursit, vendimi ndaj Begës ka marrë formën e prerë të dënimit me 21 vite burg, por, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, 71- vjeçari i dënuar për vrasjen e dyfishtë ka përfituar uljen e 1/3 së dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 14 vjet burg.
Gjithashtu, konfirmohet se ish-juristi i Kuvendit Albert Xhuti ka pasur njohje personale dhe familjare me të dënuarin 71- vjeçar Iljaz Bega, të cilin e ka takuar disa herë në ambientet e vuajtjes së dënimit në Fushë Krujë në lidhje me çështjen. Ndërkohë, sipas familjarëve mashtruesi" Xhuti i ka marrë atyre 10 mijë euro me premtimin e lirimit. Vetë i pandehuri gjatë fazës së hetimit dhe para togave të zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, në seancën e vleftësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë, pati pranuar se familjes Bega i kishte marrë 5 mijë euro, por në formë borxhi, po premtimi për lirimin e 71- vjeçarit Bega.
Vepra penale "mashtrimi" për të cilën do të gjykohet ish-jursti i Kuvendit, Xhuti, parashikohet në nenin 143, ku nëse deklarohet fajtor për këtë vepër penale rrezikon të dënohet me gjobë ose me burg deri në 5 vite heqje lirie. Sipas dosjes, i pandehuri Xhuti është arrestuar paraditen e datës 13 maj 2010 në rrugën e Durrësit, pranë kryqëzimit të Zogut të Zi (sheshi Rilindja), pak kohë pasi ai kishte dalë nga shtëpia e tij pranë ish-Shkollës së Partisë në rrugën e Durrësit.