E Diel, 1 Nëntor 2026

“Si më zëvendësuan me një burrë që ka humbur 3 herë”

06/04/2011  Pakënaqësi për kandidaturat dhe në PD. Flet Side Hidri, për komunën Rrasë Elbasan

Ajo është një ndër femrat kandidate për kryetar komune që emri iu zëvendësua në momentin e fundit. Side Hidri tregon se si ishte më e propozuara nga banorët e komunës së saj për të kandiduar për kryetar komune, por ditën e fundit emri i saj u zëvendësua me kandidatin që për herë të tretë kërkon votën e banorëve të Rrasës, edhe pse ka humbur. Gruaja, që mund të ishte e dyta në listën e kandidateve femra për kryetar komune në qarkun e Elbasanit, thotë se burrat uzurpojnë partitë dhe i përdorin ato sipas interesit të tyre, pa pyetur për vlerat, aftësitë apo kapacitetet. Side Hidri është 43 vjeç, me dy fëmijë. Ka punuar për 25 vjet si infermiere në komunën e saj dhe vazhdon të punojë. I shërben të gjithë komunitetit dhe është një ndër femrat më të vlerësuara, që i dëgjohet fjala në komunën Rrasë. Ajo thotë se kryetari i partisë apo ata që bënë përzgjedhjen e kandidaturave duhet të ishin më të informuar dhe të mos paragjykonin një grua. Ajo është angazhuar në politikë që në vitet e para të demokracisë si aktiviste dhe si komisionere. “Kanë qenë fëmijët të parët që më kanë shtyrë për kandidimin. Kur u thashë që nuk jam më e kandiduar, për ata ka qenë një zhgënjim i madh. Gjithsesi ne nuk tradhtojmë idealet tona, pavarësisht se komuna Rrasë rrezikon të mbetet në të njëjtën gjendje dhe me të njëjtin drejtues, pasi ai që kandidon sot ka humbur tri herë”. Në komunën Rrasë kandidon nën siglën e Partisë Demokratike Rustem Haskja. Ndërkohë të pakënaqurit në Elbasan kanë qenë si në komuna, ku shumë emra të diskutuar nuk u kandiduan, por në vend të tyre u kandiduan të tjerë. Shembulli më tipik është ai i Bashkisë Cërrik, ku kandidojnë përballë njëri-tjetrit kryetari dhe nënkryetari i Bashkisë. Por më i fortë duket se është diskriminimi mbi femrën. E vetmja parti që ka kandiduar një femër është LSI. Ndërkohë ishte përfolur për një kandidate grua në Bradashesh dhe Gjinar, por dolën më të forta kandidaturat e meshkujve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›