E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoba tre biznesmenëve të ndërtimit, dy në pranga

Kërcënonin prej një jave tre biznesmenë ndërtimi, pranga dy të rinjve nga Vlora. Sipërmarrësve të fushës së ndërtimeve u janë kërkuar nga 20 mijë euro dhe janë kërcënuar se nëse nuk dorëzonin shumat e kërkuara, do ta pësonin keq. Shantazhet janë bërë nëpërmjet telefonave celularë, ndërkohë që denoncimi në Policinë e Shtetit është bërë nga vetë biznesmenët vlonjatë. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se janë prangosur në flagrancë Nikollaq Syrja Taullaraj, 26 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, si dhe Ardit Bashkim Alushaj, 20 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Armen të Rrethit të Vlorës. Të njëjta burime bëjnë të ditur se 26-vjeçari Taullaraj ka qenë i dënuar më parë me tre vjet burg për shitje të lëndëve narkotike. Ndërkaq mësohet se ka qenë operacioni "Target", i organizuar nga strukturat e Hetimit të Krimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë, që u finalizuan mesditën e djeshme me prangosjen e dy të rinjve.

Arrestimi i tyre është kryer në një lokal në zonën e Skelës, ku të rinjtë janë futur në grackë. Ata janë ndaluar në flagrancë, teksa tentonin të merrnin shumën e eurove që i kishin kërkuar njërit prej biznesmenëve.

Burime nga policia e Vlorës bëjnë të ditur se dy të ndaluarit dyshohet të kenë kryer dhe herë të tjera shantazhe dhe kishin kohë që mbaheshin nën vëzhgim.

Ndërkaq burimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë saktësuar se kërcënimet për tre biznesmenët e ndërtimit kanë nisur që nga data 21 dhjetor i këtij viti. "Tre biznesmenët kishin bërë kallëzim pranë strukturave të Policisë së Shtetit dhe nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë kishte filluar procedimi penal për veprën penale të "Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë", parashikuar nga neni 109/b i Kodit Penal. Në momentin e arrestimit këtyre personave u janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale dy pistoleta, një krehër fishekësh me 14 copë fishekë, si dhe 5 aparate celular, citohet në komunikatën zyrtare të policisë. Ndërkohë mësohet se dy të rinjtë janë vënë në dispozicion të Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë për hetime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›