Aksidentet, një i vdekur dhe tetë të plagosur
Aksidentet automobilistike marrin sërish jetë njerëzish. Një i vdekur dhe tetë të plagosur ka qenë bilanci i pesë aksidenteve të ndodhur brenda pak orësh në Vlorë dhe në Pogradec. Kështu një 37-vjeçar nga fshati Çërravë i Rrethit të Pogradecit ka humbur jetën mbrëmjen e së premtes në superstradën Korçë-Pogradec. Sokol Lame, 37 vjeç, i cili udhëtonte me një motoçikletë në drejtim të Korçës është përplasur nga një autobus të linjës interurbane Tiranë-Korçë. Ngjarja rrugore ka ndodhur në afërsi të fshatit Çiflig, dhe sipas policisë 37-vjeçari qarkullonte në të njëjtin kah lëvizjeje me autobusin. Mësohet se ka qenë ky i fundit ai që ka përplasur viktimën në pjesën e pasme të motorit. Nga rrëzimi drejtuesi i motorit ka ndërruar jetë brenda pak minutash, ndërkaq që policia ka përcaktuar si shkak mungesën e fushëpamjes së mjaftueshme nga ana e drejtuesit të autobusit. Autori i këtij aksidenti, Bujar Lipo, është shoqëruar nga policia për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërsa në Vlorë ardhja e emigrantëve ka sjellë dhe aksidentet e shumta për këtë rreth. Aksidenti i parë ka ndodhur në fshatin Lubonjë, ku një motor me targa italiane është përplasur me një kamion. Për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë i riu emigrantë që drejtonte motorin. Ndërkaq, në zonën e Babicës, tek ura mbi spitalin rajonal të Vlorës, dy makina me targa italiane janë përplasur me njëra-tjetrën dhe për pasojë janë aksidentuar gjashtë persona që udhëtonin në dy automjetet e përfshira në aksident. Po ashtu në aksin rrugor Vlorë-Orikum, një automjet me targa greke ka dalë nga rruga dhe për pasojë është aksidentuar shoferi, i cili tashmë është jashtë rrezikut për jetën. Aksidenti i fundit është shënuar në rrugën Transballkanike, ku makina me të cilën udhëtonin katër të rinj vlonjat është përplasur me një mur anësor të rrugës, por fatmirësisht pa shënuar të lënduar.