E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobat, Konkurrenca: Zgjidhje, Administrativja

Kryetarja e Autoritetit raportoi në Komisionin e Ekonomisë.

Opozita: Anormale zvarritja që bëhet në Gjyqësor.

Autoriteti i Konkurrencës ka shprehur edhe një herë në raportin e tij vjetor se ngërç për mbledhjen e gjobave mbetet vijimi i proceseve në gjykata. Nga ana e opozitës u cilësua anormale zvarritja disavjeçare e këtyre proceseve apo, nga ana tjetër, moszbardhja e vendimeve. Deputetja Mimi Kodheli kërkoi nga Autoriteti që të bëjë propozime konkrete lidhur me mënyrën se si mund të lehtësohet kjo pjesë e mbledhjes së gjobave për Konkurrencën. Kryetarja Lindita Lati gjatë fjalës së saj në Komision u shpreh se një zgjidhje eficiente do të jepte Gjykata Administrative. Është pikërisht Gjykata Administrative ajo që do të shkurtojë dhe njëkohësisht, duke shkurtuar do të sjellë më në eficiencë vendimet e Komisionit të Konkurrencës në kohën e trajtimit të rasteve, u shpreh Lati. Gjatë mbrojtjes së raportit vjetor të institucionit që ajo drejton, Lati u shpreh se viti 2011 ka qenë një vit aktiv si në fushën e hetimeve, ashtu edhe të bashkëpunimit ndërinstitucional për të evidentuar problematikat. Ndër hetimet kryesore ajo përmendi atë të furrave të bukës në qytetin e Vlorës, atë të ngarkim-shkarkimit të gazit, apo edhe rastin me tregun e energjisë. Ky treg, sipas Latit, do të jetë në fokus edhe për vitin 2012, duke u rekomanduar institucioneve përgjegjëse praktika që synojnë mbrojtjen e konsumatorit. Opozita nga ana e saj kërkoi të dinte më shumë detaje edhe lidhur me hetimet në tregun e ushqimeve, apo atë të bonove të thesarit, të cilat u vlerësuan se prekin në masë konsumatorin dhe kredituesit.

14 ankesa në 2011
Gjatë vitit të kaluar, pranë Autoriteti të Konkurrencës ka pasur 14 ankesa. Ky numër ankesash vlerësohet si një numër i pamjaftueshëm, por gjithsesi nga kryetarja Lindita Lati ky është një tregues pozitiv. Viti i parë që kemi pasur ankesa të drejtpërdrejta ka qenë viti i kaluar. Kemi pasur 5 ankesa, dhe kjo është një indicio, tha Lati.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›