E Shtunë, 31 Tetor 2026

Posta: Nga 1 prilli pensionet në Tiranë jepen me grafik

Gorea: Nëse nuk e marrin në kohë, sportelet hapur dhe të shtunën.

Ata që jetojnë jashtë do ta marrin brenda ditës

Nga data 1 prill, pensionistët në Tiranë do ta marrin pensionin e tyre mujor në një datë të caktuar, sipas një grafiku të hartuar nga Posta Shqiptare. Në rast se pensionisti nuk e merr në  datën e vendosur, do të mund ta tërheqë ditën e shtunë të asaj jave. Nëse sërish nuk paraqitet, nuk ka më një datë të tretë, por do të paraqitet në postë muajin që vjen në të njëjtën datë. Kjo nismë, që do të pilotohet në kryeqytet për tu shtrirë pastaj në të gjithë vendin, ndërmerret për të shmangur radhët e gjata të pritjes së pensionistëve në sportele. Ne shpresojmë që më 1 prill të startojë projekti pilot. Këta pensionistë, që jetojnë jashtë ose kanë nevoja urgjente, mjafton të kenë dokumentacionin përkatës të justifikimit për këto. Ata do ta marrin brenda ditës. Nëse ikën data, ne kemi lënë ditën e shtunë, pasi punojmë dhe ditë të shtune, tha dje gjatë një konference për shtyp Arqile Gorea, drejtor i Postës Shqiptare. Sipas tij, janë hartuar grafikët e ndarjes së pensioneve, sipas të cilit çdo pensionist do të ketë datën dhe orën e tij të përcaktuar e të mos presë në radhë për të marrë pensionin e tij. Në çdo zyrë, Posta Shqiptare ka tashmë të afishuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm me modelin e ri të shpërndarjes së pensioneve, sipas të cilit pensionistët do të kenë në dorë një dokument zyrtar për masën e pensionit të paguar. Kjo nuk do të lejojë që njerëz të pandërgjegjshëm të abuzojnë me të ardhurat e pensionistëve, tha Gorea. Ai shtoi se pensionistët duhet të jenë të qartë për të gjithë procedurën, pasi dokumentacioni rregulloret, vendimet për ndryshimet e përfitimet e masës së pensioneve janë të afishuara në stendat e të gjitha pikave për ndarjen e pensioneve. Ky proces i nisur në fillim të muajit mars, do të përfundojë me informatizimin e plotë të shërbimit të pagesës së pensioneve. Po kështu, Posta Shqiptare është e gatshme të realizojë ndarjen e pensioneve në banesat e pensionistëve, ndaj mirëpret paraqitjen e tyre në sportelet e Postës për të bërë regjistrimin dhe për të filluar procedurat lehtësuese. Sot, rreth 156 000 e pensionistë, ose rreth 30% e numrit të tyre, e marrin pensionin në banesat ku ata jetojnë nëpërmjet Postës Shqiptare, tha Gorea. Ai theksoi se kjo reformë e re, me rregulla të reja në ndarjen e pensioneve, ka edhe vështirësi për tu zbatuar, ndaj kërkoi mirëkuptimin e pensionistëve.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›