E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH: Të shkarkohet drejtori i Hekurudhave

Kreu i KLSH, Bujar Leskaj

Zbardhet raporti, pas kontrollit për aktivitetin në vitet 2009-2011

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të Hekurudhave me argumentimin e keqmenaxhimit, rezultateve të dobëta ekonomiko-financiare dhe moszbatimit të ligjit. Raporti i konkulduar në muajin mars, pas kontrolleve për aktivitetin e hekurudhave për periudhën 2009-2011, ka nxjerrë në pah një seri shkeljesh për të cilat KLSH ka kërkuar largimin nga detyra edhe të zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm dhe të 7 anëtarëve të tjerë. KLSH në raportim e tij vëren se nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme ka pasur një neglizhencë totale të situatës, duke mos marrë asnjë masë që do ti shërbente eficiencës, madje nuk ka pasur as reduktim stafi për të arritur kështu një nivel të pranueshëm shpenzimesh. Zbulimet dhe konkluzionet kryesore të këtij kontrolli tregojnë se menaxhimi dhe administrimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave është shoqëruar në jo pak raste me mosrespektim e moszbatim të akteve ligjore. Rezultatet e dobëta të kësaj kompanie,  të konstatuara nga KLSH, janë pasojë direkte e keqmenaxhimit dhe keqadministrimit nga ana e Drejtorisë së shoqërisë, thuhet në raportin e KLSH-së. Lidhur me këtë situatë i është kërkuar Këshillit të Mbikëqyrjes që të ketë parasysh një sërë çështjesh që lidhen me përmirësimin e shërbimit, deri te zhdëmtimi i dëmit të konstatuar në një sërë zërash të llogaritur. Problematike paraqiten mosarkëtimet e debive, të cilat shkojnë në miliona lekë. Vetëm për vitin 2009, debitorët kanë ndaj hekurudhave 144 milionë lekë, ndërsa për vitin 2010, 152 milionë lekë. Me ardhjen në krye të KLSH-së, Bujar Leskaj ka theksuar në vazhdimësi se do të ashpërsohen masat ndaj atyre që nuk respektojnë ligjin, si dhe do të rritet bashkëpunimi me Prokurorinë. Vetëm në tre muajt e këtij viti, nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit janë kryer 5 kallëzime penale, ndërkohë që ka ende kontrolle në vijim për të cilat nuk është mbyllur raporti përfundimtar vlerësues. Ashpërsimi i masave ndëshkuese ndaj abuzuesve ka qenë edhe një ndër paralajmërimet e KLSH-së për punën në vijim.

KLSH i ka kërkuar Këshillit Mbikëqyrës
Drejtoria e DPH-së të jetë më reaguese ndaj kërkesave të tregut, për të futur shërbime të përmirësuara midis Tiranës dhe Durrësit, të bëjë studime mbi konservimin e linjave jorentabile (Fier dhe Vlorë), të përmirësojë sistemet e kontrollit të sinjalizimit për të përmirësuar sigurinë, të bëjë zëvendësimin e parkut të vagonëve, dhe të kombinojë reformat në subjekt me ndërhyrjen e shtetit në drejtimet më imediate;
Drejtoria të shqyrtojë dhe të analizojë shkaqet e të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse për vonesat në përpunimin e vagonëve të huaj, pasi detyrimi i DPH-së ndaj atyre homologe, për periudhën 2009-2010, është në vlerën 443.152 euro;
Drejtoria e shoqërisë të shikojë mundësinë e uljes së mëtejshme të numrit të punonjësve, për të arritur një nivel të pranueshëm të shpenzimeve, i cili pasqyrohet në kostot operative;
Të merren masa konkrete për evidentimin, klasifikimin dhe ndjekjen në mënyrë të vazhdueshme të debitorëve, duke koordinuar punën me strukturat përkatëse për përmirësimin e dokumentacionit për arkëtimin e debitorëve, gjendja e të cilëve në fund të viteve 2009 e 2010, është respektivisht në vlerat 144 milionë lekë dhe 152 milionë lekë;
Të derdhen në buxhetin e shtetit detyrimet për sigurimet shoqërore e shëndetësore, për vitet 2009 dhe 2010, gjendja e të cilave paraqitet në fund të viteve respektivisht në vlerat 11 milionë lekë dhe 12 milionë lekë. Për detyrimin tatim mbi të ardhurat personale, gjendja në fund të viteve 2009, 2010 është respektivisht në vlerat 2 milionë lekë dhe 3 milionë lekë dhe detyrimi për tatimin në burim për vitin 2010 është në vlerën 18 milionë lekë;
Drejtoria e shoqërisë të shqyrtojë dhe analizojë shkaqet dhe të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse për gjendjen e lartë të inventarëve në fund të viteve 2009 dhe 2010, përkatësisht në vlerat 354 milionë lekë dhe 274 milionë lekë, pasi kjo gjendje nuk justifikohet me objektin e shoqërisë dhe se ajo rrezikohet me krijimin e stokut me qarkullim të ngadalshëm;
Dhënia e ambienteve me qira për sipërfaqet mbi 200 m2 dhe mbi 500 m2, në administrim nga DPH-ja, të bëhet me konkurrim nga organi i varësisë administrative MPPTT dhe METE me të drejtën e përfaqësuesit të pronarit të pronës shtetërore;
Të emërohet drejtori në strukturën e auditimit të brendshëm, me qëllim që të kontrollohet plotësisht aktiviteti ekonomik, financiar e teknik i DPHsë;
Ti likuidohet buxhetit të shtetit detyrimi në vlerën 21 milionë lekë, i cili përfaqëson detyrimin në masën 70% të arkëtimeve për objektet e dhëna me qira deri më 11.08.2011, konform kapitullit VI, të VKM nr. 1712, datë 24.12.2008 Për dhënien me qira ose enfiteozë të pasurive të ndërmarrjeve, shoqërive dhe institucioneve shtetërore.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›